Të enjten shqyrtohet Projektligji për Amnistinë
Prishtinë, 8 korrik - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që këtë javë të mbahen dy seanca të rregullta parlamentare.
Në seancën e së enjtes, më 11 korrik, 2013, pos pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për Amnistinë (të risjellë nga Qeveria, pas heqjes së nenit 3).
Për procedimin e këtij projektligji në seancë janë pajtuar shumica e pjesëmarrësve në këtë takim, pos përfaqësuesve të Grupit Parlamentar Vetëvendosje!, të cilët e kanë kundërshtuar si dhe nënkryetarit, Sabri Hamiti, i cili ka tërhequr vëmendjen se Projektligji në fjalë doemos duhet të kishte kaluar paraprakisht në Komisionin për Legjislacion.
I ka mbetur seancës që të vendos për procedimin e këtij projektligji , si dhe për shqyrtimin e tij të dytë ( mbase në të njëjtën ditë, në një seancë të re).
Në seancën e së premtes, më 12 korrik, do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-165 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, si dhe për herë të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr. 03/L-221 dhe nr. 04/L-116.
Për herë të parë do të shqyrtohet edhe Projektligji për sistemin e lejeve dhe licencave, kurse për herë të dytë Projektligji për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjin nr. 04-L-163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, Raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2012, Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për masat mbrojtëse në importe, Raporti vjetor i performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2012, si dhe Raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor Parlamentar.
Në përfundim të kësaj seance parashihet që deputetët të zgjedhin drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës.
Pasi e ka shqyrtuar kërkesën për procedimin e i Projektligjit për fshatin Zym i Hasit, Kryesia e ka ngarkuar Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor që ta shqyrtojë Projektligjin në fjalë dhe Kuvendit tia paraqesë Raportin preliminar, para shqyrtimit të tij të parë.
Në mbledhje është shqyrtuar edhe Iniciativa qytetare për fillimin e nismës ligjore për ndryshimin dhe plotësimit të Ligjit nr. 04/L-156 për kontrollin e duhanit.
Ka mbetur, ndërkaq, të diskutohet edhe një herë kërkesa e deputetit Kurtan Kajtazi, mbështetur nga deputetët nënshkrues, për debat parlamentar lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, roli i EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudha e tranzicionit, Rekomandimi i Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike lidhur me Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2012, si dhe informata për gjendjen në Qendrën Administrative Protokollare në Gërmi.