22 Dhjetor 2024

Të enjten mbahet seanca plenare e radhës

Prishtinë, 25 tetor - Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e paraparë për sot në orën 11:00, nuk u mbajt në mungesë të kuorumit. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në bazë të vendimit të Kryesisë të mbledhjes së kaluar, konform kompetencave të tij kushtetuese dhe në konsultim me kryetarët e grupeve parlamentare, vendosi që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të enjten.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në këtë seancë deputetët pritet të votojnë në parim Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, Projektligjin për mbështetjen e punëve publike, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë. Në lexim të dytë ndërkaq, pritet të votohet Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Pikë e radhës e rendit të ditës do të jetë votimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”, për të vijuar me shqyrtimin e Propozim-rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual.

Seanca do t’u kthehet serish projektligjeve, për të shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19, si dhe atë për vlerësimin e ndikimit në mjedis.  

Punimet e seancës plenare do të vazhdojnë me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimin e Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021, propozimin e GP “Multietnik” dhe GP të LVV-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, për të përfunduar me formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)