Të enjten mbahet seanca e fundit e Sesionit vjeshtor
Prishtinë, 17 dhjetor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur që këtë të enjte, më 20 dhjetor, ta mbajë mbledhjen e fundit plenare të Sesionit vjeshtor, duke e përcaktuar edhe rendin e ditës për këtë seancë.
Pas pikave të përhershme të seancave të rregullta parlamentare: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat, kurse për herë të dytë do ta shqyrtojnë Projektligjin për procedurën përmbarimore.
Në të njëjtën seancë, ndërkaq, do të shqyrtohet edhe Raporti i punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011.
Kryesia ka tumirë kërkesën e deputetit Ramiz Lladrovci, që debati parlamentare lidhur me rastin Kiçina të shtyhet për ndonjë seancë tjetër.
Kryesia e ka mbështetur gjithashtu Rekomandimin e Komisionit për Legjislacion lidhur me Amendamentet Kushtetuese. Komisioni për Legjislacion i ka shqyrtuar Amendamentet Kushtetuese, të propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që ka të bëjë me futjen e amnistisë, si kategori Kushtetuese si dhe ndryshimin e nenit 108, të Kushtetutës të propozuara nga Qeveria.
Komisioni e ka përkrahur amendamentin 2. Po ashtu, ka vlerësuar të pranueshëm edhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila për amendamentin 1, paragrafi 1, ka konstatuar se ky amendament i pakëson të drejtat dhe liritë e përcaktuara në kapitullin II të Kushtetutës.
Kryesia, konform qëndrimit të Komisionit për Legjislacion dhe në pajtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vendosur që amendamenti 1, ti kthehet Qeverisë për riformulim.
Propozimin e deputetes Flora Brovina, të mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë nënshkrues, për miratim nga Kuvendi të një rezolute partneriteti për ndryshim-Fuqizimi i Gruas, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për Legjislacion, në mënyrë që të përgatisë Raportin me rekomandime para se Rezoluta të nxirret për miratim në Kuvend.