Të dielën mbahet takimi mes kryeministrit Thaçi e Daciq
Në hapje te mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se të dielën do të mbahet takimi i radhës në mes të kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel.
Qëllimi i këtij takimi është që të përmbyllet marrëveshja për telekomin dhe energjinë. Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e veta që i ka pasur edhe ato teknike, profesionale dhe politike, gjithashtu edhe Bashkimi Evropian.\"
\"Qëndrimi i Kosovës dhe Bashkimit Evropian është identik sa i përket këtyre dy çështjeve ndërsa unë dua të besoj se edhe Serbia do të ketë qëndrim pozitiv për aprovimin e këtyre dy marrëveshjeve, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Në të njëjtën kohë, është kënaqësi të theksoj se ndihem i inkurajuar me pjesëmarrjen dhe ecurinë e procesit elektoral. Unë dëshiroj ti uroj të gjitha partitë politike, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, lëvizjet politike, për regjistrimin e tyre si parti politike apo iniciativa qytetare , lëvizje qytetare, apo kandidat të pavarur në garë, ka thënë kryeministri në fjalën e tij para kabinetit qeveritar.
Do të punojmë për organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, demokratike, të standardeve perëndimore. Është jashtëzakonisht me rëndësi të theksojmë se këto zgjedhje po mbahen për herë të parë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me një pjesëmarrje të shumë partive politike, që e rrit peshën dhe konkurrencën e kësaj gare në nivel lokal, ka vazhduar kryeministri Thaçi në fjalën e tij.
Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe i imi, është mbështetje për Komisionin Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës. Ne mbështesim çdo vendim që është në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, dhe asnjë vendim tjetër, vetëm vendimet që janë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Deri tani të gjitha veprimet e Komisionin Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës kanë qenë kushtetuese dhe ligjore.
Të theksoj se ajo që është shumë me rëndësi është që organizimi i zgjedhjeve bëhet për herë të parë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me pjesëmarrje të madhe të partive politike, dhe do të organizohen sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.