Të burgosurit në pritje të mëshirës së presidentes Jahjaga
Prishtinë, 13 shkurt - Mbi 440 të burgosur të Kosovës janë në pritje të mëshirës së presidentes Atifete Jahjaga e cila në përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt, pritet të nxjerrë dekret për faljen e të burgosurve.
Ajo pritet që të marrë vendim, sipas të cilit, do të falet në tërësi dënimi apo do të ulet vuajtja e dënimit për persona të caktuar.
Mbi pretendimin se kanë përmbushur kushtet ligjore për të kërkuar faljen nga e para e shtetit, të burgosurit deri më 7 shkurt kanë dorëzuar kërkesat e tyre për falje, ndërsa gjatë të mërkurës dhe të enjten, komisioni Ad-hoc i formuar nga Zyra e Presidencës, do të shqyrtojë kërkesat për falje, njofton Zëri.
Është formuar komisioni prej së paku pesë anëtarëve të cilët gjatë dy ditëve do të shqyrtojnë kërkesat një nga një dhe do të shohin nëse të burgosurit kanë plotësuar kushtet për falje. Emrat që ata konsiderojnë se e meritojnë faljen do ti përcillen presidentes. Vendimi final, sipas ligjit, është vendimi i presidentes, ka njoftuar Selim Selimi, këshilltar ligjor në Zyrën e presidentes së Kosovës.
Komisioni Ad-hoc i themeluar me vendim të presidentes, sipas tij, është në përbërje të përfaqësuesve ligjorë të Presidencës, nga punonjësit e gjykatave, nga ekspertët akademikë si dhe nga shoqëria civile. Ky komision, sipas Selimit, do të veprojë konform Kushtetutës, konform Kodit Penal të Kosovës përkatësisht neneve 112 dhe 113 si dhe bazuar në Ligjin për Falje.
Kërkesat për falje, sipas tij, një pjesë e vogël kanë ardhur nga të burgosurit direkt në Presidencë, por shumica përmes Shërbimit Korrektues të Kosovës, i cili menaxhon burgjet në Kosovë.
Drejtori i këtij shërbimi, Resmi Hoxha, ka konfirmuar se deri më datën 7 shkurt kur lista me kërkesat për falje është dorëzuar në Presidencë, numri i të burgosurve që kanë kërkuar falje nga presidentja ka arritur në 441.
Hoxha ka konfirmuar për gazetën se të burgosurit i kanë dorëzuar kërkesat e tyre, ndërsa personat kompetentë të burgjeve për secilin nga ta ka dhënë mendim në lidhje me sjelljet që i burgosuri ka pasur gjatë vuajtjes së dënimit si dhe shpjegim për veprën me të cilin ai/apo ajo është në vuajtje të dënimit.
Ne i kemi proceduar kërkesat të cilat janë bërë konform Ligjit për Falje dhe tashmë është vendimi në duar të presidencës, ka njoftuar Hoxha.
Është viti i dytë qëkur presidentja e Kosovës pritet të shpallë dekret për falje. Vitin e kaluar, në katërvjetorin e shpalljes së pavarësisë, mes qindra kërkesave të arritura, presidentja pati marrë vendim për faljen e dënimit të mbetur apo uljen e dënimit për 15 persona.
Një vit më herët, përkatësisht në trevjetorin e shpalljes së pavarësisë, asokohe, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, tashmë kryekuvendari Jakup Krasniqi, ishte treguar më duarshlirë. Ai kishte marrë vendim me të cilin kishte mëshiruar 103 persona të dënuar me vendim të plotfuqishëm.
Në vitin 2010, ndërkaq presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, kishte amnistuar 62 të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Ndonëse kishte qenë e ndaluar që të amnistoheshin persona për disa vepra të caktuara penale e të tillë që ende janë në pritje të vendimit përfundimtar, Sejdiu kishte falur edhe të tillë.