Të bëhemi një kundër shkatërrimit të republikës
Prishtinë, 6 mars - Në një inçizim që është publik të një bisede në odë në mes të Adem Jasharit dhe Hamëz Jasharit me dajën e tyre Osmanin, Osmani thotë Po menojmë që me biseda çlirohet vatani. Në këtë Hamëz Jashari ia kthen se Me demokraci nuk çlirohet vatani.
Adem Jashari, Hamëz Jashari, e tërë familja Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, në të vërtetë na mësuan se si çlirohet vatani. Sepse atëbotë, në kushte të okupimit dhe dhunës së shfrenuar kriminale e gjenocidale të Serbisë, çkuptim mund të kishte demokracia, dhe çfarë vlere realisht kishte dialogu.
Dëshmorët dëshmuan. E dëshmuan se cila është rruga. Kosova u çlirua falë dëshmisë së tyre, falë rrugës që ata kishin ndjekur. Por jo vetëm kaq: dëshmorët ravijëzuan edhe rrugën përpara. Çlirimi është parakusht i lirisë. Liria është një me sovranizimin. Nuk mund të jesh i lirë pa qenë sovran e as sovran pa qenë i lirë. Sovraniteti është fundament i demokracisë. Këto janë sekuencat që na i mësuan Jasharët, dhe dëshmorët tjerë. Sekuencat e shtetndërtimit. Të një shteti për popullin.
E pra këto janë akte vullneti, e jo tema dialogu. Ashtu siç ishin në marsin e vitit 1998.
Tash a vazhdojmë të qëndrojmë në këtë rrugë të ravijëzuar? Republika e Kosovës është shndërruar në shtet për dialog. Pra jo shtet sovran, por shtet që vazhdimisht e negocion thelbin e tij. Karakteri unitar i këtij shteti vazhdimisht vihet në pikëpyetje me Zajednicën, territori i tij vazhdimisht cenohet përmes demarkacionit me Malin e Zi, e kërkesave të pafunda të Serbisë për komuna të reja, institucionet publike të tij janë në gjendje të përhershme të fluiditetit për shkak të riaranzhime të vazhdueshme të bartjes, cungimit, e shkurtimit të kompetencave, dhe në anën tjetër të tërheqjes po ashtu të vazhdueshme nga përgjegjësia dhe shërbimet publike, ekonomia e saj është përherë në degradim dhe pamundësim për shkak të tjetërsimit nga privatizimi e koncesionet ndaj Serbisë si kapacitete e resurse industriale, e për shkak të monopolizimit e uzurpimit si treg.
Dhe kjo gjithnjë, dhe kudo, për shkak të interesave të të tjerëve e në dëm të interesave kolektive të popullit sovran.
E kundërta e marsit 1998. Nëse atëherë anëtarët e familjes Jashari u flijuan për lirinë e Kosovës, duke na mësuar kështu që individi është në funksion të lirisë kolektive e të barazisë, sot kemi individ që e flijojnë Kosovën për ambiciet personale. Ashtu siç bënë Mustafa e Thaçi. Ashtu siç u votua Thaçi.
Ashtu siç Zajednica nuk bëhet dot pa Thaçin e Mustafën, ashtu edhe Thaçi e Mustafa nuk mund tia bëjnë dot pa Zajednicën.
Votimi i kontabanduar, i shantazhuar, i transakcionuar i Thaçit për president e shpërfaq më së miri këtë.
Ai nuk bëhej dot pa u zotuar edhe një herë para Vuçiqit për themelim të Zajednicës dhe pa e marrë bekimin e tij.
Votimi për Thaçin u shndërrua kështu në konfirmim të Zajednicës.
Thaçi, sikur bashkëpunëtori i tij Mustafa, janë bërë një me Zajednicën. Sa më lartë synojnë të ngjiten, që ta kapin shtetin sa më gjerë e sa më thellë, aq më shumë duhet ti japin Serbisë, vertikalisht në kompetenca e horizontalisht në territore.
Ky votim i kushtoi buxhetit të Kosovës shuma marramendëse parash, një licencë për terminal doganor, e kosto të tjera për të cilat sigurisht se do të dëgjojmë në të ardhmen.
Ne këtë votim skandaloz e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Nuk është se kemi shpresa të mëdha se Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të drejtë karshi kësaj çështje,mirëpo për ta refuzuar kërkesën tonë, kjo gjykatë duhet ta mohojë veten publikisht sepse duhet të mohoj një vendim të vetin të mëhershëm, të marrë në rastin Pacolli ku situata ka qenë e ngjashme.
Por më e dhimbshmja, rrezikon ti kushtojë Republikës së Kosovës me Zajednicë sipas marrëveshjes së 25 gushtit 2015 (pra kundër aktgjykimit të kushtetueses) dhe me zgjerim të territorit të kësaj Zajednice me edhe së paku një komunë atë të Prilluzhës.
Me këtë komunë të re me shumicë serbe, e cila mëton të bëhet pjesë e Zajednicës, Serbia synon të bëhet faktor vendimmarrës në shfrytëzimin e rezervave të linjitit të Kosovës. Hegjemonizmi i Serbisë karshi Kosovës ka pasur përherë qëllimin e kontrollit mbi resurset ekonomike të vendit tonë. Mitrovica është ndarë për shkak të Trepçës, Artana është zgjeruar deri në qytetin e Gjilanit vetëm e vetëm që të bëhet komunë më shumicë serbe në mënyrë që miniera aty të jetë e kontrollueshme, Shtërpca synohet të futet në Zajednicë për shkak të Brezovicës. E Prilluzha po kërkohet për shkak të linjitit.
Këto nuk kanë të bëjnë fare as me të drejtat e Serbëve në Kosovë, e as me interesin e tyre. Serbët e Kosovës, sikur të gjithë qytetarët tjerë, kanë interes që Republika e Kosovës të jetë fuqishme, në mënyrë që kjo Republikë tu garantojë atyre të drejta, siguri e mirëqenie. Serbia në anën tjetër ka interes ta dobësojë Republikën sepse kështu e kontrollon atë dhe na i kontrollon resurset. Politika hegjemoniste e Serbisë këtë dobësim të Republikës e paraqet si të drejtë elementare të njeriut, sikur interesim për ekzistencën e serbëve në Kosovë. Ky është shovinizëm sepse fundamentalisht pretendon se serbët janë esencialisht të rrezikuar nga shqiptarët, dhe çfarëdo insistimi në integrim, barazi dhe jetesë të përbashkët nënkupton largim të serbëve nga Kosova. Në thelb dhe përjetësisht, pra po na thotë Serbia, serbët nuk mund të jetojnë me shqiptarët, sepse shqiptarët nuk kanë as denjësi, e as njerëzi që ta mundësojnë bashkëjetesën. Prandaj Zajednica është shoviniste. Rrjedhimisht është e padrejtë, por edhe e pasaktë, e paqëndrueshme historikisht e praktikisht. Por Zajednica është edhe kundër serbëve të Kosovës. Sepse ajo ia mundëson Serbisë përjetësimin e instrumentalizimit politik të këtyre qytetarëve të Kosovës për qëllimet e veta neokoloniale.
Shovinizmi e neokolonializmi duhen kundërshtuar gjithmonë. Në cilëndo formë shfaqen e kudo ku ato shfaqen. Sepse këto shkojnë gjithnjë kundër lirisë e barazisë.
Dhe kështu duhet kuptuar përpjekja jonë, protesta jonë. Si përpjekje kundër hegjemonisë, dhe përpjekje për liri e barazi. Dhe siç e thotë historia kjo përpjekje kërkon sakrificë e vetëmohim, është afatgjatë, ecën rrugës së vendosmërisë dhe bazohet në besnikëri e e disiplinë.
Me vite burg janë mbajtur nga aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Vetëm gjatë këtyre muajve të fundit. Sot në këtë mbledhje të Këshillit nuk i kemi disa anëtarë të tij për shkak se mbahen në burg ose arrest shtëpiak. Sot në burg janë aktivistët:
Frashër Krasniqi
Kasim Uka
Fatmir Kurtaj
Kujtim Kosumi
Kushtrim Zeqiri
Pajtim Demaj
Skënder Merturi
Gent Amzai
Dardan Molliqaj
Salih Zyba
Ditar Canolli
Kushtrim Halilaj
Besnik Zeqiraj
Trim Gashi
Si dhe kryetari i GP-së Glauk Konjufca.
Ndërkohë që:
Albulena Haxhiu
Shqipe Pantina
Besa Baftiu
Ismajl Kurteshi
Fisnik Ismajli
mbahen në arrest shtëpiak.
Si dhe Donika Kadaj Bujupi e Pal Lekaj nga AAK.
Të dashur anëtarë të këshillit të përgjithshëm
Mysafirë të nderuar
Zonja e zotërinj
Përndjekja ndaj opozitës nuk e sinjalizon vetëm rrëshqitjen e pushtetit drejt diktaturës, por më shumë pasigurinë e frikën që ky pushtet ia ka kauzës sonë të drejt. Kështu pushteti e pranon në mënyrë indirekte që ne kemi të drejtë, kur kësaj të drejte ia kundërvë forcën. Për më tepër ky regjim e di se kauza jonë është ngadhënjyese dhe krejt përpjekjen e ka për ta shtyrë atë në kohë.
Por koha po punon kundër Republikës së Kosovës, sepse regjimi që po e kërkon kohën, po vepron në kundërshtim me interesat e Republikës. Prandaj ndryshimi që vije nga nuk ka kohë, dhe protesta jonë nuk mund të jap kohë. Sot kemi më shumë arsye për të protestuar se sa që kemi pasur dje. Prandaj nuk është koha as e reduktimit të metodave, e as e uljes së intensitetit të protestës. Përkundrazi arsyet shtesë për protestë, kapja e majës së shtetit, zotimi për ringjallje të Zajednicës, zgjerimi i territorit të saj përmes Prilluzhës, uzurpimi dhe koncesionimi i thëngjillit për përfitime të të tjerëve jashtë Kosovës, kërkojnë rritje të gatishmërisë, mobilizimit e vendosmërisë për protestë, e jo të kundërtën. Mustafa e Thaçi janë bërë një me Zajednicën, kapjen e shtetit, korrupsionin, keqpërdorimin. Ne duhet të bëhemi një me të gjithë zërat opozitar kundër këtyre të dyve dhe degradimit e shkatërrimit të Republikës që këta e simbolizojnë.