Tanin kërkon nga Prishtina dhe Beogradi të shtojnë përpjekjet për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur
Prishtinë, 30 gusht - Me rastin e Ditës ndërkombëtare mbi viktimat e zhdukjeve të detyrueshme, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, thekson rëndësinë e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, dhe shpreh zotimin e UNMIK-ut në vazhdimin e përkrahjes së plotë të këtij procesi si dhe të drejtën e pjesëtarëve të familjeve të tyre për të mësuar të vërtetën.
Derisa PSSP Tanin mirëpret progresin e arritur më herët gjatë këtij viti me zhvarrosjen dhe identifikimin e disa personave të zhdukur me ndihmën e Grupit punues mbi personat e zhdukur, ai shpreh shqetësim se procesi duket se ka ngec gjatë muajve të kaluar për shkak të ngërçit politik. Në këtë drejtim, ai i bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të përmbahen nga politizimi i kësaj çështje të rëndësishme humanitare dhe e të drejtave të njeriut.
PSSP Tanin rikujton se Grupi punues mbi personat e zhdukur, që kryesohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe ka mbështetjen e plotë të KB-së, ka qenë një mekanizëm esencial në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur që nga themelimi i tij në vitin 2004.
Prandaj, ai kërkon nga të dyja palët që të shtojnë përpjekjet e tyre brenda kornizës së Grupit punues për të kërkuar personat e zhdukur.
“Meqë zbardhja e fatit të 1.630 personave të cilët ende janë të zhdukur është komponentë qendrore për trajtimin e së kaluarës dhe avancimin e pajtimit ndërmjet komuniteteve dhe ndërtimin e besimit në Kosovë, UNMIK-u do të vazhdojë të mbështesë të gjithë akterët dhe familjet e personave të zhdukur në këtë proces,” tha PSSP-ja.