04 Maj 2024

Takohen Thaçi dhe Daçiqi

Bruksel, 19 tetor - Në Bruksel është zhvilluar të premten takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, homologut të tij serb, Ivica Daçiq, dhe shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e cilësoi të mirë dhe konstruktiv takimin që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë serb, Ivica Daçiq.

Në një komunikatë për media që dërgoi zyra për informim e baroneshës Ashton, diplomatja britanike paralajmëroi takimin e radhës me krerët e qeverive të të dyja palëve që, sipas saj, do të ndodhë së shpejti.

“Kam takuar sot në Bruksel kryeministrin, Ivica Daçiq dhe kryeministrin, Hashim Thaçi, me qëllim vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja\".

\"Takimi i sotëm vjen pas takimeve që zhvillova në New York me presidentin Nikolliq dhe kryeministrin Thaçi. Pas takimeve të ndara me ta, udhëhoqa një takim të përbashkët në zyrën time, i cili u mbajt në një atmosferë të mirë dhe konstruktive\".

\"Ne u pajtuam që ta vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, ndërsa të dytë u zotuan për bashkëpunim. Do të takohemi prapë së shpejti\".

\"Besoj se dialogu është në interesin e të dyja palëve. Qëllimi i tij është të përmirësohet jeta e njerëzve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve e, duke e bërë këtë, ta sjell Serbinë e Kosovën më afër Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e lëshuar në emër të zonjës Ashton.


Po ashtu zyra e Kryeministri i Republikës së Kosovës,  ka njofuar se Kryeministri  Hashim Thaçi, sot është takuar me Baroneshën Catherine Ashton, njëherit Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së.

 
Në komunikatë bëhet e ditur se Kryeministri Thaçi në takim ka theksuar rëndësinë e avansimit të agjendës së integrimeve evropiane të Republikës së Kosovës. Kryeministri Thaçi ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për të përmbushur të gjitha kriteret dhe detyrat që dalin nga ky proces, duke përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, në kuadër të fqinjësisë së mirë sipas standardeve evropiane.
 

Në Bruksel, kryeministri Thaçi pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme, Baroneshën Ashton është takuar me kryeministrin e Republikës së Serbisë, Ivica Dacic. Takimi në mes të kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Daçiç u bë me ndërmjetesimin e Baroneshës Ashton, e cila gjithashtu ishte në takim.

 
Takimi u zhvillua me qëllim të vazhdimit të dialogut të facilituar nga BE-ja. Të gjitha palët në takim janë pajtuar dhe kanë shprehur përkushtimin që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të vazhdoj.

 
Takimi në mes të kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Daçiç me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton është një kapitull i ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane. Me këtë rast kryeministri Thaçi theksoi se “ky proces, patjetër që do e përshpejtoj integrimin e dy shteteve në BE dhe do të jetë në shërbim  të paqes dhe stabilitetit në rajon.”   

Takimi i sotëm pason miratimin e një dite më parë të rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në të njejtën ditë, edhe Qeveria në Beograd ka marrë vendim zyrtar të vazhdojë bisedimet me Prishtinën, pa e njohur \"pavarësinë e Kosovës”.

Reagimi i parë për takimin e së premtes erdhi nga Presidenca e Republikës së Kosovës.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, ka thënë se \"është shumë mirë që janë takuar kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë në nivel të barabartë”.

“Ky shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe një rrugë përpara në arritjen e marrëveshjeve për një të ardhme më të mirë për vendet tona, që kanë pasur një të kaluar të vështirë”, ka thënë Vllahiu.

Ai po ashtu e ka cilësuar takimin si “një hap para në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon\".

\"Fqinjësia e mirë është një prej kritereve në rrugën e integrimeve evropiane”, ka thënë Vllahiu.


Reagon opozita

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, nën praninë e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

“Sot, në Bruksel, ndodhi takimi i mezipritur mes kryeministrit Thaçi dhe Daçiqit, trashëgimtarit politik të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ky takim u realizua vetëm 24 orë pas miratimit të rezolutës së turpshme të PDK-së dhe AAK-së, së cilës iu bashkua edhe LDK-ja, për bisedime me Serbinë pa kurrfarë kushtesh”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Sipas Vetëvendosjes, kjo rezolutë shpreh “gatishmërinë e paskrupullt të Qeverisë Thaçi për çfarëdo takimi me Daçiqin e Nikolliqin, pavarësisht së kaluarës shekullore kriminale të Serbisë dhe pavarësisht përpjekjeve konkrete të Serbisë për shkatërrimin e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës përmes financimit dhe urdhërimit të strukturave të saj kriminale brenda shtetit tonë”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)