Takimi i pative me presidenten pa efekte
Prishtinë, 23 shtator - As ndikimin më të vogël në drejtim të kapërcimit të ngërçit institucional nuk e ka pasur takimi i presidentes Atifete Jahjaga, me krerët e subjekteve politike.
Qe prej dështimit të seancës se kaluar, më 18 shtator, asnjë sinjal nuk është dhënë nga subjektet politike për tejkalimin e bllokadë së filluar qysh më 17 korrik.
Presidentja në takimin që kishte me krerët e subjekteve politike ka kërkuar nga ta që ta gjejnë vetë zgjidhjen, sepse, sipas saj, është detyrë e vetë deputetëve që të merren vesh për tejkalimin e ngërçit.
Partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit - PDK, përveç disa deklaratave për media ku ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me bllokun, në praktikë nuk ka dhënë asnjë sinjal se është e gatshme për kompromis.
Edhe Blloku LVAN ka vazhduar takimet tanimë të rëndomta, por as ky nuk ka reflektuar në ndonjë lëvizje pozitive, pas takimit që përfaqësuesit e tij kishin me presidenten. /Tribuna/