Tahiri u bëri thirrje biznesmenëve shqiptarë nga Bursa të investojnë në Kosovë
Prishtinë, 15 shkurt - Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri e cila mori pjesë në Samitin Ekonomik Ballkanik në Bursa të Turqisë me organizimin e Rumelisad-it, u bëri thirrje biznesmenëve shqiptarë që të investojnë në Kosovë.
Në fjalimin e saj të mbajtur me këtë rast ajo foli për progresin e arritur në Kosovë në gjashtë vjetët e pavarësisë në konsolidimin e shtetit sovran dhe demokratik, dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës në integrimet euroatlantike dhe njohjet gjithnjë në rritje.
Ajo vuri në dukje se Kosova si shtet i ri ka hyrë në arenën ekonomike botërore si një vend shumë atraktiv për investime të jashtme, sepse kemi krijuar kushte të favorshme për investime dhe disponojmë me potenciale të mëdha ekonomike dhe burime njerëzore të përgatitura për standardet e ekonomisë së tregut modern.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dha një porosi të veçantë për biznesmenët shqiptar duke thënë ju biznesmenët shqiptar që jetoni në Turqi keni dy vendlindje dhe ky është një privilegj i madh por është edhe një obligim i dyfishtë për ju sepse u takon që të investoni edhe në Turqi edhe në Kosovë e Shqipëri.
Në rezonimet e juaja investuese, Kosovën nuk duhet ta trajtoni vetëm nga dimensioni ekonomik por edhe nga dimensioni patriotik, sepse mos harroni se pas njëqind vjet robërie, Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran sepse të gjithë u bashkuam në luftën për liri. Tash na takon të bashkohemi për ngritjen ekonomike të Kosovës.
Në këtë Konferencë mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Turqisë, Bulent Arinc me të cilin zëvendëskryeministrja Tahiri, zhvilloi një takim ku u bisedua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve në shumë fusha si dhe u rikonfirmua gatishmëria e Turqisë për të vazhduar ndihmën për njohjet për Kosovën.
Gjatë qëndrimit në Bursa, zëvendëskryeministrja Tahiri u takua me Kryetarin e Komunës Rexhep Altepe ku në një takim të gjatë e miqësor u diskutua për rritjen e angazhimeve për investime në Kosovë.
Altepe me këtë rast shprehu gatishmërinë për konkretizimin e formave dhe fushave të bashkëpunimit dhe në këtë kuadër të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për përfshirjen sa më të madhe të biznesmenëve shqiptar të Bursës.
Po ashtu, zëvendëskryeministrja Tahiri takoi Kryetarin e organizatës Rumelisiad, Mustafa Kirci, të cilin e falënderoi për organizimin e kësaj konference për biznesin me pjesëmarrjen e biznesmenëve nga Bursa dhe vendet e Ballkanit, duke vlerësuar se kjo Konferencë ofroi mundësi dhe ide të reja për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë.
Një takim të veçantë znj. Tahiri zhvilloi me znj. Jasemin Kabugoaglu, kryetare e grave biznesmene të Rumelisiad-it, ndërsa gjatë një dreke pune që u shtrua për nder të vizitës së zëvendëskryeministres Tahiri, në një atmosferë miqësore gratë anëtare të kësaj organizate të gjitha me origjinë shqiptare shprehën ndjenjat e tyre të fuqishme për kombin shqiptar, evokuan kujtime dhe dhimbje për luftën në Kosovë dhe përkushtimin për të mbajtur lidhjet e forta me atdheun e të parëve të tyre.