Tahiri takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Schwarzenberg
Prishtinë, 24 qershor - Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës Edita Tahiri, ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtëm të Republikës Çeke, Karel Schëarzenberg, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë. Zëvendëskryeministrja Tahiri fillimisht falënderoi z.Schëarzenberg për angazhimin dhe përkrahjen e tij dhe shtetit të Çekisë për Kosovën
Zëvendëskryeministrja Tahiri kërkoi nga ministri i Çekisë që ta ndihmojë Kosovën në rritjen e njohjeve dhe posaçërisht që ky shtet të punojë me shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Zëvendëskryeministrja gjithashtu kërkoi nga ministri Schëarzenberg që Çekia si anëtare e Bashkimit Evropian, ta përkrahë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, hyrjen në marrëdhënie kontraktuare, si dhe përshpejtimin e statusit të kandidatit në Bashkimin Evropian për Kosovën.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Karel Schëarzenberg, premtoi përkrahje në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Sipas tij shteti i Çekisë është i përkushtuar për një Ballkan të integruar dhe me stabilitet të plotë.
Gjatë takimit u vlerësua rëndësia e dialogut teknik në interes të qytetarëve dhe për forcimin e perspektives evropiane për Kosovën. Dialogu u cilësua si një mundësi për ti zgjidhur diferencat për çështjet praktike midis Kosovës dhe Serbisë dhe po ashtu si një mundësi e mirë për ti vendosur marrëdhëniet ndër-fqinjësore në kuadër të kritereve për integrime evropiane. Po ashtu u tha se Kosova me zhvillimin e dialogut teknik po plotëson edhe një nga kërkesat e Kopenhagës, e që është bashkëpunimi rajonal.
Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se Republika e Kosovës dhe Qeveria e saj janë duke punuar maksimalisht për plotësimin e standardeve të BE-së.
Bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve midis dy shteteve, forcimi i perspektivës euro-atlantike të rajonit dhe rëndësia e dialogut teknik për paqen dhe stabilitetin e rajonit.