20 Janar 2025

Tahiri, takoi delegacionin e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës

Prishtinë, 1 mars - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka pritur sot në takim delegacionin e Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës Shaban Kajtazi, kryetar, Musa Jorganxhiu dhe Alajdin Haskuka, anëtar të kryesisë.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, z. Shaban Kajtazi, pasi falënderoi ministren për pritje, ngriti çështjen e përfshirjes së kthimit të pensioneve nga Serbia në dialogun e Brukselit dhe potencoi se pensionistët e Kosovës vazhdojnë të kërkojnë nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare kthimin e Fondit Pensional të Kosovës, i cili për më shumë se 15 vjet në mënyrë joligjore mbahet në Serbi.

Kajtazi shprehu shqetësimin lidhur me numrin e madh të pensionistëve në periudhën kur në mënyrë jo ligjore është marrë Fondi Pensional nga Serbia, dhe numri i pensionistëve është llogaritur të jetë mbi 89 mijë mirëpo këto statistika duhet vërtetuar .

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka çmuar kontributin e tyre si një gjeneratë që ka kontribuar në ruajtjen e kombit dhe ngritjen e shtetit, andaj Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të ngritur pensionet dhe do të vazhdoj kujdesin dhe mbështetjen edhe në të ardhmen.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri shtoi se çështja e kthimit të pensioneve së bashku me çështjen e kompensimit të dëmeve të luftës nga Serbia është e përfshirë në listën e temave që Qeveria e Kosovës ia ka paraqitur BE-së në Bruksel që në fillim të dialogut në vitin 2011 ,pastaj në vitin 2014 ne e kemi ripërsëritur kërkesën pranë BE-së që kjo çështje të përfshihet sa më parë në agjendën e dialogut të Brukselit.

Ajo siguroi delegacionin e pensionistëve se në fazën e ardhshme të dialogut kjo temë do të trajtohet dhe zgjidhet dhe se në këtë proces do të përfshihen edhe përfaqësuesit e pensionistëve. Po ashtu ministrja Tahiri ua prezantoi dokumentet zyrtare të Qeverisë së Kosovës të cilat u janë dërguar Bashkimit Evropian me kërkesë që çështja e Fondit Pensional të Kosovës të cilën Serbia e ka uzurpuar në mënyrë joligjore duhet t’i kthehet Kosovës dhe kjo temë duhet të trajtohet sa më shpejtë në dialogun e Brukselit. Thekse nga ky dokument janë si në vijim:

Në qershor 1999, gjatë largimit nga Kosova, Serbia e ka marrë edhe Fondin Pensional dhe Invalidor të Kosovës. Kërkojmë kthimin e këtij fondi dhe përmes tij të bëhet kthimi i mjeteve tek pensionistët e dëmtuar dhe kërkojmë që kjo çështje të vihet me prioritet në agjendën e Dialogut të Brukselit.

E drejta në pensione është e drejtë themelore e njeriut, ajo është e fituar me punë dhe me kontribute të paguara enkas për sigurimin pensional dhe invalidor.  Gjykata e Strasburgut më 24 shtator 2012 e ka detyruar shtetin e Serbisë për pagesat e pensioneve të kontribut dhënësve nga Kosova.

Sipas evidencës amë, të Qendrës Elektronike Llogaritare e ish-BVI-së, më 31.12.1998, në Kosovë kanë qenë 89.135 shfrytëzues të pensioneve të të tri kategorive: pensionistë të pleqërisë 33.308, pensionistë familjarë 28.034, dhe pensionistë invalidorë 25.045. Shfrytëzues të kompensimit për dëmtim trupor ishin 1.266 persona, ndërsa shfrytëzues të ndihmës për kujdesin e tjetrit për të palëvizshmit ishin 1.252 persona.

Kosova ka pasur sistem të pavarur organizativ të sistemit pensional deri në vitin 1990 kur i është suprimuar dhunshëm statusi i njësisë federale. (Është suprimuar BVI e SPI të Kosovës dhe të gjitha BVI-ve themelore (neni 242 par.6), janë marrë pasuria, inventari, mjetet, të drejtat dhe obligimet e BVI të SPI të Kosovës (neni 243.par.1) dhe është shfuqizuar Ligji mbi Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Kosovës dhe dispozitat e tjera të nxjerra në bazë të atij Ligji (neni 248).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)