Tahiri takohet me Anne Marie Esper Larsen
Prishtinë, 21 mars - Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri priti në takim Anne Marie Esper Larsen, përfaqësuese e UN WOMEN për Bosnje dhe Hercegovine, Kosovë dhe Maqedoni, e shoqëruar nga Flora Macula, drejtoreshë UN ËOMEN për Kosovë, me të cilat bisedoi për çështjen e fuqizimit të grave në Kosovë dhe në mbarë Evropën juglindore.
Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se procesi i fuqizimit të grave në Kosovë ka mbështetje të mirë ligjore dhe ka pasur përparime në fuqizimin e grave në të gjitha sferat përfshirë dhe në politikë, mirëpo ky fuqizim nuk është në nivelin e duhur, për shkak se ka ngecje në zbatimin e ligjeve për Barazinë Gjinore dhe zbatimin e rezolutës të OKB-së 1325. Ajo theksoi se gratë duhet fuqizohen me shumë në vendimmarrje, proceset politike, siguri dhe drejtësi.
Më këtë rast ajo përshëndeti miratimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, ku përfshihet dhe çështja e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, si një kategori shumë e ndjeshme dhe e dëmtuar për shkak të gjenocidit serb në Kosovë.
Po ashtu, zëvendëskryeministrja Tahiri në cilësinë e kryesueses se Lobit Rajonal të Grave (LRGEJL) vlerësoi lartë partneritetin strategjik që ka LRGEJL me UN WOMEN dhe për gjithë mbështetjen që i jep veprimtarisë së kësaj organizate.
Lobi i Grave të Rajonit për gati një dekadë të funksionimit është bërë një faktor i rëndësishëm në të gjitha vendet e rajonit, por edhe në procesin e konsolidimit paqes dhe drejtësisë në Ballkanin perëndimor në kuadër të vizionit dhe vlerave euroatlantike, ka theksuar zëvendëskryeministrja Tahiri.
Ndërkaq, Anne Marie Esper Larsen, shprehu vlerësime për fuqinë dhe angazhimin e grave të Kosovës në proceset paqësore dhe shtet-ndërtimit demokratik të Kosovës. Ndërsa shprehu gatishmërinë që UN WOMEN të vazhdojë ta mbështes fuqishëm lobin e grave, si një model pozitiv që duhet të zbatohet edhe në rajonet tjera të botës që janë në fazat e post konfliktit, në krijimin e paqes dhe demokracisë, ku roli i gruas duhet të jetë i barabartë me botën mashkullore.