Tahiri takohet me ambasadorin Ian Cliff
Prishtinë, 11 dhjetor - Ministrja për dialogun Edita Tahiri ka pritur sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, z. Ian Cliff.
Në këtë takim z. Cliff e uroi znj. Tahiri për emërimin e saj në pozitën e ministres për dialog dhe i dëshiroi suksese në vazhdimin e angazhimeve të saj në këtë kuadër. Ambasadori Cliff rikonfirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin e Kosovës si një shtet euroatlantik. Ai po ashtu vlerësoi lart performancën e Kosovës në procesin e dialogut duke theksuar se janë shënuar rezultate të prekshme në dobi të jetës së qytetarëve dhe avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës.
Nga ana e saj ministrja Tahiri vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe tha se partneriteti do të thellohet edhe më tepër gjatë mandatit të ri të Qeverisë së Kosovës. Ajo tha se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar në të gjitha fazat e krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës çmohet nga qytetarët e Kosovës e po ashtu përkrahja e pa rezervë që ky vend mik po bën për Kosovën në procesin e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Duke folur për prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministrja Tahiri tha se ato do të jenë të fokusuara në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien sociale, sundimin e ligjit dhe integrimet euroatlantike. Në këtë aspekt dialogu është një prioritet i rëndësishëm, përmes të cilit Republika e Kosovës si faktor stabiliteti ndikon drejtpërdrejtë në fqinjësinë e mirë dhe paqen e qëndrueshme në rajon.