Tahiri: Statutet e veriorve nuk janë pajtim me Ligjet e Kosovës
Prishtinë, 12 mars - Pas monitorimit të seancave të Kuvendeve Komunale në katër komunat veriore nga ana ekipeve të monitorimit të MAPL-së, që u mbajtën sot pasdite, si dhe duke u bazuar në informacionin zyrtar lidhur me rrjedhën e këtyre seancave dhe parregullsive të evidentuara në përmbajtjen e statuteve komunale të miratuara, Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës Edita Tahiri dha këtë deklaratë për media:
Në seancat e mbajtura gjatë pasditës në, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, përveç në Mitrovicën veriore ku po vazhdon seanca edhe në këto momente, janë miratuar statutet e komunave veriore të cilat për nga përmbajtja e tyre në disa pjesë nuk janë pajtim me Ligjet e Kosovës, prandaj si të tilla janë të papranueshme dhe kanë nevojë që të plotësohen dhe ndryshohen në mënyrë që të jenë në pajtim me Ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës ashtu siç e përcakton marrëveshja e Brukselit. Harmonizimi i këtyre statuteve sipas Ligjeve të Kosovës duhet të ndodh para se këto statute të hyjnë në fuqi.
Udhëzimi jonë si Qeveri e Republikës së Kosovës është se Kuvendet komunale të këtyre komunave duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, në mënyrë që përmbajtja e statuteve të jetë legale dhe të mund të përdoret nga autoritetet e zgjedhura komunale.
Në të kundërtën këto statute do të konsiderohen jolegale dhe Qeveria e Kosovës do të merë veprime konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të saja.
Lidhur me hartimin dhe miratimin e tyre, Qeveria e Kosovës me mekanizmat e vet është angazhuar që të bëj harmonizimin e statuteve me ligjet e Kosovës, respektivisht u ka dorëzuar model statutet këtyre komunave si dhe ka mbajtur takime me Komisionet statusore, me Kryesuesit e Asambleve komunale dhe Kryetarët e komunave për të rezultuar në statute ligjore. Po ashtu Bashkimi Evropian ka qenë i njoftuar me kohë për këto rrjedha.
Konsiderojmë se ky nuk është një zhvillim i mirë pas sukseseve të evidentuara në këtë proces duke përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe zbatimin e rezultateve përmes një procesi legal të inaugurimit të organeve të reja komunale.
Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të vendos ligjin, rendin, demokracinë dhe normalitetin në këtë pjesë të vendit sipas Kushtetutës së Kosovës dhe u bënë thirrje udhëheqjeve të reja në këto komuna të respektojnë sistemin legal të Kosovës që është interesin e gjithë qytetarëve, tha zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.