Tahiri: Serbia, deri tani konstruktive
Prishtinë, 26 prill - Negociatorja kosovare, Edita Tahiri ka deklaruar se Prishtina ka pranuar negociatat me Serbinë me kushtin që ato të trajtojnë vetëm cështje teknike.
Nëse në një moment cështjet politike, si ndarja e Kosovës, bëhen temë e dialogut, atëherë ky dialog për ne bëhet i papranueshëm, ka pohuar Tahiri.
Megjithatë, duke folur për gazetën serbe Blic, Tahiri ka vlerësuar se deri tani përfaqësuesi i Beogradit në bisedime është treguar konstruktiv.
Shefi i ekipit negociator serb deri tani është treguar shumë konstruktiv, duke u fokusuar në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve teknike. Kjo jep arsye për optimizëm, ka nënvizuar Tahiri.
Ajo ka shtuar më tej se, deklaratat e negociatorit serb për statusin nuk rrezikojnë bisedimet për sa kohë ato u përmbahen kornizave të parashikuara.