Tahiri, priti në takim Ambasadorin Cliff
Prishtinë, 20 gusht - Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri sot u takua me Ambasadorin Britanik në Kosovë, Ian Cliff me të cilin biseduan për rrjedhat e fundit politike, avancimin e proceseve integruese në BE dhe NATO si dhe me theks të veçantë u bisedua edhe për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë takim, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera të gjithmbarshme në mes të dy vendeve tona dhe u shprehë gatishmëri për fuqizimin e këtij bashkëpunimi në planin bilateral dhe në rrugën e Kosovës drejtë integrimit në BE, NATO, OKB dhe organizma tjerë relevant ndërkombëtarë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ndër tjerash theksoi se zbatimi praktik i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë është kontribut për fqinjësinë e mirë dhe integrimin evropian si dhe potencoi rëndësinë që të gjitha palët e involvuara të punojnë në frymën e marrëveshjes dhe ti respektojnë afatet e planit për zbatim.
Ndërsa, Ambasadori Cliff gjatë këtij takimi i vlerësoi të arriturat e Qeverisë së Kosovës duke konfirmuar se Mbretëria e Bashkuar do të jetë përkrah Kosovës në rrugën e saj të integrimit euroatlantik si dhe shprehu mbështetjen e plotë të vendit të tij për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.