Tahiri, pranoi librin e parë të skanuar të Regjistrit Civil
Prishtinë, 20 dhjetor - Zëvendëskryeministrja e Kosovës njëherësh udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike, znj. Edta Tahiri, priti në takim Andi Sparks, udhëheqës i Grupit të Punues për zbatim të marrëveshjes për Librat e Regjistrave Civil, dhe njëherësh dhe zëvendës shefi i misionit të EULEX.
Më këtë rast, Sparks, i dorëzoi znj. Tahiri, librin e parë të skanuar dhe certifikuar të Regjistrit Civil, ndërkaq mbesin edhe 14.076 libra tjerë për tu certifikuar në të ardhmen.
Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se ky është një kontribut i mirë për pasurimin e të dhënave,por se Kosova nuk ka hequr dorë nga marrja e librave origjinalë, dhe këtë e konsiderojmë si fazë kalimtare e cila është një masë e përkohshme deri te koha e kthimit të librave origjinal, pasi që Librat e Regjistrave Civile nuk i përkasin Serbisë por Republikës së Kosovës.
Marrëveshja për Librat e Regjistrit Civil, është arritur me 2 korrik 2011. Sipas marrëveshjes librat origjinale do të skanohen dhe certifikohen nga EULEX.
Deri më tani janë realizuar 7 takime të grupit punues për zbatimin e marrëveshjes, ndërkaq procesi i implementimit të marrëveshjes për Librat e Regjistrave Civil ka filluar të zbatohet më datën 5 dhjetor 2011.
Libri është skanuar sipas modelit të skanimit të projektit të Kosovës, dhe i harmonizuar me bazën e të dhënave aktuale që ka Kosova, gjë e cila na mundëson që posa të përfundon skanimi dhe certifikimi i gjithë librave që ndodhen në Serbi, menjëherë të jetë i përshtatshëm për përdorim.