Tahiri po merr pjesë në konferencën e Rezolutës 1325
Prishtinë, 21 tetor - Me ftesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, Edita Tahiri, Ministre e Administratës Publike dhe Kryesuese e Lobit Rajonal të Grave mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar në Vjenë me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
Në këtë takim të grave, lidereve eminente nga pjesë të ndryshme të botës, u trajtuan përpjekjet, rezultatet dhe sfidat në rrugën e fuqizimit të grave në botë. Në mesin e folësve të Konferencës ishinë Ursula Plasnik, deputete dhe ish Ministre e jashtme e Austrisë, Elizabet Rehn, ish- Ministre e mbrojtjes së Finlandës dhe Raportuese speciale e OKB në Balkan, Leslez Abdela, eksperte botërore për çëshjet e grave, Indu Pant Ghimire nga Nepali, Ruth Ochieng nga Uganda, Nepali, etj.
Tema e Konferencës Pjesëmarrja dhe lidershipi i grave në situatat e konflikteve dhe ndërtimi i paqes përqëndroi debatin në këmbimin e përvojave të grave në politikë, diplomaci, procese paqësore dhe siguri si dhe u diskutuan idetë dhe strategjitë për zbatimin e Rezolutës në periudhën e ardhshme dhjetëvjeçare.
Ministrja Edita Tahiri në kumtesën e saj me titull Paradokset e zhvillimit të lidershipit të grave në situatat e konfliktit dhe ndërtimit të paqes në Evropën Juglindore trajtoi kontributin e madh të grave në lëvizjen për liri dhe pavarësi të Kosovës, sfidat e fuqizimit të grave në periudhën e shtetndërtimit dhe ndërtimit të paqes, si dhe bëri një vlerësim për ndikimet e Rezolutës 1325 në procesin e gjithëmbarshëm të fuqizimit të grave në vendimarrje, procese paqësore dhe siguri.
Më pas ajo foli për veprimtarinë e Lobit Rajonal të Grave si një organizatë rajonale, e cila ka bashkuar gratë lidere në përjekjet për krijimin e një paqe të qëndrueshme në rajon dhe për përshpejtimin e intergimeve evropiane për gjithë vendet e rajonit.
Ndër të tjera, znj. Edita Tahiri tha se fuqizimi i grave në vendimmarrje është një kusht i domosdoshëm në përpjekjet për fuqizimin e gjithëmbarshëm të grave në botë, duke theksuar se zbatimi i Rezolutës 1325 kërkon vullnet të qartë politik të të gjithë aktorëve në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nga kjo Konferencë dolën rekomandime të vlefshme për çështjet e grave, të cilat Ministria e Jashtme e Austrisë do ti prezantojë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që mbahet më 25 tetor 2010 me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të Rezolutës 1325 të OKB-së.
Në këtë Konferencë ishte prezent edhe Ambasadori i Kosovës në Austri, Dr.Sabri Kiqmari dhe sekretarja e parë e Ambasadës, Zana Rugova, si dhe ambasadorë tjerë nga vende të ndryshme.
Në kuadër të shënimit të dhjetvjetorit të Rezolutës 1325 , Ministrja Tahiri do të qëndroj javën tjetër në New York me ftesë të OKB-së