Tahiri: Për arrestimet janë në dijeni BE dhe SHBA-të
Prishtinë, 2 prill - Fati i dy policëve të kidnapuar është në duart e EULEX-it, pasi autoritetet e Kosovës nuk kanë asnjë kontakt me autoritetet e Serbisë, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Ndërkaq, kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se Qeveria e Kosovës, arrestimet e policëve, që ka ndodhur brenda territorit të Kosovës i konsideron arrestime me motive destruktive të Serbisë.
Tahiri ka thënë se për këto arrestime janë në dijeni të gjithë faktorët relevantë, përfshirë edhe BE-në e SHBA-të.
Natyrisht që edhe unë kam kontaktuar me Robert Cooper, si ndërmjetës i BE-së, për ta informuar nga dora e parë për situatën e krijuar. Kam kërkuar nga BE-ja që të bëjë një presion të qartë dhe të vendosur ndaj Serbisë. E para, për lirimin e policëve të arrestuar, por edhe një presion që Serbia të ndërpresë këto akte agresioni ndaj Kosovës, ka thënë Tahiri për Tribuna Shqiptare.
Ajo ka shtuar se Brukseli me shqetësim i ka marrë këto informacione, për shkak se cenohen marrëveshjet e arritura deri tash, raporton Agjensia e Lajmeve Ina.
Kemi marrë premtime se ata janë duke punuar që të zgjidhet drejtë kjo çështje, që të lirohen të arrestuarit. Por, edhe në përgjithësi të rregullohet gjendja në lëvizjen e lirë, sepse kemi informacione që në pikën kufitare në Merdarë që nga mbrëmë ka pritje të gjata dhe pengesa në lëvizjen e lirë, tha ajo.
Tahiri thotë se zhvillimet e këtilla e cenojnë dialogun teknik dhe marrëveshjet e arritura.