Tahiri: Nevojitet presioni i BE-së ndaj Serbisë
Prishtinë, 15 mars - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, takoi ambasadoren e Estonisë në OSBE në Vjenë, njëherësh ambasadore jorezidente për Kosovën, Eve-Kulli Kala e cila ishte e shoqëruar nga zëvendës ambasadori, Ott Laido.
Gjatë një dreke pune, të dy bashkëbisedueset vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Estonisë edhe në të ardhmen.
Ministrja Tahiri duke folur për zhvillimet e fundit në vend theksoi se gjendja aktuale politike duhet të tejkalohet duke pasur një dialog të brendshëm për marrëveshje për çështjet e interesit madhor mes pozitës dhe opozitës, ndërsa shtoi se dhuna nuk është mjet i një shoqërie demokratike dhe si e tillë është e papranueshme. Ajo foli për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për reformat evropiane dhe punët që po bëhen për zbatimin e MSA-së ndërsa e quajti të padrejtë çdo vonesë që BE-ja po bënë në liberalizimin e vizave për Kosovën dhe kërkoi që zhvillimet aktuale ndërkombëtare të mos përdoren si argument për të penguar qytetarët e Kosovës që të lëvizin pa viza në Evropë.
Duke folur për dialogun e Brukselit, ministrja Tahiri shtoi se nevojitet presioni i BE-së ndaj Serbisë për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve me theks të veçantë sepse Serbia po vazhdon të prolongoj implementimin e plotë të tyre.
Ambasadorja Kala shprehu kënaqësinë për takimin dhe bisedën e rëndësishme rreth zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon. Ajo tha se Estonia mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën dhe rikonfirmoi mbështetjen për perspektivën euroatlantike të Kosovës. Ajo tha se Estonia është një vend mik i Kosovës dhe do t\'ju përkrahim në rrugën e reformave dhe forcimin e shtetit të Kosovës.