Tahiri: Në tetor e nënshkruajmë MSA-në
Prishtinë, 15 shtator - Edita Tahiri, ministre për Dialog në Qeverinë e Kosovës, thotë se Serbia e mbylli të dielën kufirin në Medvegjë për ti ndaluar shqiptarët të shkojnë e të votojnë atje, pasi që, siç tha ajo, kryeministri, Aleksandër Vuçiq, kishte deklaruar më herët se në këtë komunë nuk ka më shumë se 7 për qind shqiptarë.
Sipas saj, pavarësisht pengesave të shumta që hasën të dielën nga Policia serbe, shqiptarët i treguan Vuçiqit se janë hiç më pak se 25 për qind, duke arritur kështu ti fitojnë 3 këshilltarë më shumë në Asamblenë Komunale.
Këto komente Tahiri i ka bërë të hënën gjatë një interviste për gazetën Zëri, ku ka treguar për kontaktet e rregullta që kishte me zyrtarët e BE-së në lidhje me moslejimin e shqiptarëve që të votojnë në këtë komunë të Luginës së Preshevës.
Shkelja e Marrëveshjes për Lëvizje të Lirë që i bëri të dielën Serbia ishte me paramendim, sepse z. Vuçiq me disa deklarata provokative kishte paralajmëruar se shqiptarët në Medvegjë nuk mund të fitojnë më shumë se 7 për qind. E rezultati doli 25 për qind, tha ajo.
/Zëri/