Tahiri në Konferencën për rolin e grave në Zagreb
Zagreb, 22 tetor - Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare për rritjen e rolit të grave në proceset paqësore dhe drejtësi që u mbajt nën patronatin e Presidentit të Kroacisë Dr. Ivo Josipovic, në Zagreb.
Kjo Konferencë u organizua nga Lobi Rajonal i Grave (RWLSEE) me temën Gratë në ndërtimin e paqës: Çasja e grave në drejtësi në vendet e paskonfliktit dhe në te morën pjesë gra lidere nga politika dhe shoqëria civile nga mbarë rajoni përfshirë, Kosovën, Kroacinë, Shqipërinë, Serbinë, Bosnja e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedonisë si dhe përfaqësuese eminente ndërkombëtare.
Në fjalën e sajë, zëvendëskryeministrja Tahiri, e cila njëherit është Kryetare e Lobit të Grave, theksoi se gratë kanë dhënë një kontribut të madh për ndërtimin e paqes në rajon dhe janë të angazhuara për forcimin e demokracisë, drejtësisë dhe sigurisë në rajon. Lobi Rajonal i Grave konsideron se demokracia dhe drejtësia janë gurthemele për një paqe të qëndrueshme përmes të cilës sigurohet e ardhmja evropiane e rajonit, tha ajo.
Më tej, znj Tahiri tha se e kaluara e hidhur e luftërave në rajon nuk mund të ndryshohet por as nuk mund të harrohet, mirëpo ne duhet dhe mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë, ku kombet dhe shtetet e rajonit respektojnë dhe pranojnë njëra tjetrën dhe bashkëpunojnë për agjendën euro-atlantike dhe fqinjësinë e mirë.
Në vazhdim, znj. Edita Tahiri vlerësoi se gratë janë një vlerë strategjike e shoqërisë dhe duhet të jenë faktor në paradigmën e re për zhvillimin dhe demokratizimin e vendeve të rajonit. Shoqëria duhet të ketë parasysh se gratë përbëjnë gjysmën e kapitalit njerëzor, andaj duhet të krijohet hapësirë e duhur për aktivizimin e potencialeve udhëheqëse të grave, për një të ardhme më të mirë për të gjithë, theksoi ajo.
Presidenti kroat Ivo Josipović në fjalën tij potencoi rëndësinë e rritjes së vetëdijes për barazinë e plotë të grave dhe të drejtave të tyre në sferën publike dhe në shoqëri duke nënvizuar ekzistimit e diskrepancës mes të drejtave normative dhe pozitës reale të grave në shoqërinë bashkëkohore.
Ai në veçanti u angazhua për sigurimin e qasjes së plotë të grave në drejtësi dhe me këtë rast bëri thirrje që drejtësia të veproj sidomos ndaj grave viktima të luftës dhe dhunës seksuale, duke konstatuar se drejtësia në pjesën më të madhe nuk e ka bërë punën e vet dhe se përgjegjësitë e krimeve nuk kanë marrë ende ndëshkimin e duhur.
Në kuadër të punimeve të Konferencës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri zhvilloi një bisedë me Presidentin kroat Ivo Josipoviç ku gjatë këtij takimi u rikonfirmuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe u shpreh gatishmëria për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të interesit të ndërsjellë dhe në kuadër të agjendës euro-atlantike.
Konferencës ju drejtuan shumë personalitete në mesin e të cilëve i Elizabeth Rehn, ish ministre e mbrojtjes e Finlandës, zëvendës kryeministrja e Maqedonisë, Teuta Arifi, pastaj ministra dhe deputet nga Kroacia dhe mbarë rajoni, përfaqësues të autoriteteve komunale të Zagrebit dhe përfaqësuese të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.