Tahiri në Konferencën Ndërkombëtare të OKB-së
New York, 8 nëntor - Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të OKB-së , prej 5 deri me 7 nëntor 2013, e cila kishte për temë Vlerësimin global të arritjeve dhe sfidave në zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kjo Konferencë u organizua nga UNWomen, dhe në të ishin të ftuara gra eminente nga mbarë bota, të cilat angazhohen për fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore.
Fjalën e hapjes e bëri Ndihmës Sekretarja Gjenerale e OKB-së, Lakshmi Puri, e cila ndër tjerash theksoi rëndësinë e barazisë gjinore në proceset e paqes dhe sigurisë dhe nevojën për një angazhim më të madh të të gjithë mekanizmave relevant në mënyrë që roli i grave të ngritet në nivelin e duhur.
Ajo vlerësoi se potencialet dhe vlerat e grave janë një faktor i rëndësishëm në arritjen e një paqe dhe sigurie më të mirë në botë.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e cila në këtë konferencë ishte në cilësinë e Kryetares së Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore (RWLSEE), në fjalën e saj trajtoi proceset e fuqizimit të grave në Kosovë dhe në mbarë rajonin në periudhën e pasluftës.
Ajo tha se Kosova është një shembull i mirë i fuqizimit të grave dhe shërben si model inspirimi dhe inkurajimi edhe për gratë e rajonit.
Gratë e Kosovës kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke u bërë pjesë e historisë së krijimit të shtetit demokratik, të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Në periudhën e pasluftës, fuqizimi i grave ka qenë vazhdimisht në rritje me mbështetjen dhe të dy gjinive dhe Rezoluta 1325 e KS të OKB-së të miratuar në vitin 2000 dhe të tjerat më vonë kanë qenë një mbështetje për të realizuar objektivat e barazisë gjinore.
Më tej ajo foli për sfidat kryesore në rrugën e barazisë gjinore dhe vlerësoi mbështetjen që Qeveria e Kosovës ia ka dhënë zhvillimit të Planit Aksional për zbatimin e Rezolutës 1325 në Kosovë për të cilën tha se është në proces të miratimit në Qeveri dhe për të cilën qeveria ka premtuar edhe mbështetje buxhetore.
Ajo me këtë rast vlerësoi kontributin e UNIFEM/UNWomen e cila vazhdimisht ka mbështetur dhe mbështet agjendën e grave, jo vetëm në Kosovë por edhe në mbarë rajonin.
Znj. Edita Tahiri, po ashtu foli për veprimtarinë e Lobit Rajonal të Grave në realizimin e objektivave të Rezolutës 1325 dhe të tjerave duke theksuar se që nga themelimi i saj në vitin 2006, Lobi rajonal i grave ka qenë i përkushtuar për forcimin e paqes, sigurisë dhe drejtësisë në rajon, si organizatë e vetme me karakter rajonal që bashkon gra lidere nga politika dhe shoqëria civile nga shtatë shtete të rajonit (Kosova, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina).
Lobi Rajonal i Grave ka arritur që roli i grave të rritet në nivelet e shteteve dhe të mbarë rajonit duke ndjekur strategjinë e fuqizimit të grave përmes veprimtarisë konkrete të grave për marrjen e përgjegjësive që ju takojnë në demokratizimin e shoqërisë dhe qeverisjen e mirë, si dhe duke lobizuar në nivelet më të larta për inkuadrimin e grave në procese paqësore dhe reformimin e sektorit të sigurisë në favor të grave.
Qëllimi kryesor i Lobit të Grave të rajonit është që të dy gjinitë të japin kontribut për një paqe të qëndrueshme në rajonin e Evropës Juglindore dhe përshpejtimin e proceseve Euro-Atlantike.
Në New York, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri po merr pjesë ne cilësinë e Kryetares së Lobit Rajonal te Grave për Evropën Juglindore (RWLSEE).