Tahiri merr pjesë në 10 vjetorin e rezolutës 1325 në New York
Prishtinë, 15 tetor Ministrja e Administratës Publike do të marrë pjesë në shënimin e dhjetë vjetorit të rezolutës 1325 në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara në New York në cilësinë e kryetares së Lobit Rajonal të Grave. Ftesën e ka marrë nga UNDP-ja.
Kjo ngjarje do të zhvillohet më 25 tetor 2010, në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara dhe do të mbledh bashkërisht vendimmarrës, donatorë, përfaqësuese të organizatave të grave dhe partnerë të tjerë zhvillimor në vendet pas konflikteve.
Tema mbi të cilën do të zhvillohet diskutimi në këtë shënim të përvjetorit të Rezolutës 1325 është Vlera e paqes: Financimi i barazisë gjinore në rimëkëmbjen pas konflikteve dhe rindërtimi (The Price of Peace: Financing for Gender Equality in post Conflict Recovery and reconstruction).
Në ftesën nga UNDP -ja që i drejtohet Edita Tahiri, si kryetare e Lobit Rajonal të Grave, në mes tjerash thuhet se e vlerësojnë përvojën e veçantë të znj Edita Tahiri, lidershipin e demonstruar nga ajo dhe angazhimin për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. Fjala juaj do të zgjeroj diskutimin e panelit dhe do të ndihmoj në avokimin e mëtutjeshëm për objektiva më të mira, për të adresuar nevojat e grave dhe burrave në mënyrë të njëjtë thuhet më tutje në ftesën dorëzuar Kryetares së Lobit Rajonal të Grave, Edita Tahiri.
Përveç Tahirit, pjesë e panelit të këtij diskutimi do të jenë dhe gra të tjera nga vende të ndryshme të botës, të dëshmuara si lidere dhe te cilat gjithashtu janë të angazhuara në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave gjinore.