Tahiri: Kosova po ndërtohet me arkitekturë euro-atlantike
Prishtinë, 1 maj - Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri sot priti në takim delegacionin nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë të kryesuar nga Ann Sofie Nilsson, Drejtoreshë e Përgjithshme për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në këtë Ministri.
Gjatë këtij takimi është biseduar për zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Suedisë, vazhdimin e përkrahjes nga Suedia përmes Strategjisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim me Kosovën 2014-2020 si dhe për mbështetjen për integrimet euro-atlantike për Kosovën.
Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri vlerësoi lartë mbështetjen e gjithanshme të Suedisë për forcimin e shtetit të Kosovës dhe shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve. Ajo falënderoi për vazhdimin e përkrahjes nga Suedia për Kosovën dhe qytetarët e saj, ndërsa theksoi rëndësinë e këmbimit të përvojave në reformat evropiane që shpejtojnë integrimin e Kosovës në BE, NATO, OKB e organizma tjerë ndërkombëtar.
Tahiri tha se ne po e ndërtojmë shtetin me një arkitekturë euro-atlantike sepse ndajmë vlerat e përbashkëta në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe të sigurisë. Kosova pavarur është një faktor paqeje dhe promotor i fqinjësisë së mirë mes kombeve dhe shteteve në botë, dhe në këtë funksion Kosova është palë serioze në dialogun e Brukselit për fqinjësi të mirë me Serbinë, me lehtësimin e BE-së.
Nga ana tjetër, znj. Ann Sofie Nilsson e falënderoi znj. Tahiri për pritjen si dhe foli për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale tashmë të ndërtuara që nga përfundimi i luftës. Ajo siguroi se Suedia mbështet fuqishëm integrimin Kosovës në Bashkimin evropian dhe bashkësinë euro-atlantike duke vlerësuar përparimet e mëdha të Kosovës si shtet i ri. Më pas ajo njoftoi zëvendëskryeministren Tahiri për mbështetjen konkrete të Qeverisë Suedeze për Kosovën përmes projekteve zhvillimore, përkatësisht mbi Strategjinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim me Kosovën për vitet 2014-2020.
Në fund të këtij takimi u ra dakord që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe më tutje me qëllim thellimin e mëtejmë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Znj. Ann Sofie Nilsson në këtë takim shoqërohej edhe nga z. Henrik Nilsson, shef i Misionit të Suedisë në Kosovë, z. Mikael Elmehed, Zyrtar i Deskut në MPJ-në e Suedisë, znj. Maria Melbing, Këshilltare dhe Udhëheqëse për Zhvillimin e Bashkëpunimit në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë, znj. Christina Hartler, Zv. Shefe për Reformat e Bashkëpunimit, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Organizatën SIDA, si dhe z. Kristian Lindvall, zyrtar i deskut në MPJ-në e Suedisë.