Tahiri: Kosova faktor i paqes në rajon
Prishtinë, 27 qershor - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në konferencën e tretë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës ku foli për temën: Progresi në dialogun e Brukselit dhe perspektiva euro-atlantike e Kosovës.
Në fjalën e saj ministrja Tahiri ndër tjerash tha se dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka dhënë rezultate të rëndësishme në disa plane. Vlen të veçohen rezultatet në forcimin e kushtetutshmërisë, ligjit dhe demokracisë në tërë vendin dhe shuarja e strukturave paralele serbe në fushat ku janë arritur marrëveshjet, pastaj përparime ka pasur në normalizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Serbinë, dhe në mënyrë të veçantë dialogu i Brukselit ka kontribuar në perspektivën euro-atlantike për Kosovën.
Ajo pastaj u ndal në veçanti tek procesi i zbatimit të marrëveshjeve në fushën e drejtësisë dhe shuarjen e të ashtuquajturës mbrojtje civile si dhe informoi mbi takimin e radhës në Bruksel në nivel Kryeministrash ku do të trajtohen dhe eventualisht mbërrihen marrëveshjet për temat që janë në rend dite.
Ajo shprehu pritshmërinë që do të ketë rezultate për përmbylljen e çështjes së kodit shtetëror telefonik për kodin për të cilën do të aplikoj shteti i Austrisë, pastaj do të ketë përparime në çështjet e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, në përkufizimin e parimeve të përgjithshme për asociacionin dhe për heqjen e barrikadës nga ura e lumit Ibër.