Tahiri: Kosova duhet të ketë përfitime nga bisedimet
Prishtinë, 25 mars - Disa ditë para nisjes së raundit të dytë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe shefja e delegacionit, Edita Tahiri, ka thënë se shteti që nuk njihet nga pesë vendet anëtare të BE-së, ka kërkuar avancimin konkret.
\"Kosova duhet të ketë përfitime ashtu si dhe Serbia. Ne kemi kërkuar që nga ky proces të lehtësohet çështja e liberalizimit të vizave, çështja e hyrjes në marrëdhënie kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, me fjalë të tjera nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe kemi kërkuar shpejtim të statusit të kandidatit. Kur kemi kërkuar këtë, kemi arsyetuar me faktin se Kosova po vonohet pa fajin e vet\", ka thënë Tahiri.
Kryesuesja e ekipit kosovar ka shpjeguar se BE-së po i duhet më shumë kohë në raport me Kosovën.
\"Në raport me Kosovën, BE-ja ka nevojë edhe për pak kohë derisa të ndërtojë një konsensus të brendshëm në raport me atë se çfarë do të përfitojë Kosova\", ka thënë Tahiri. Megjithatë, sipas saj, Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga konstruktiviteti në dialog. \"Unë po ju them se Kosova do të fitojë nëse jemi konstruktivë\", ka theksuar Tahiri.