Tahiri kërkoi nga Mongolia njohjen e pavarësisë së Kosovës
Ulaanbaatar, 17 korrik - Gjatë qëndrimit në Mongoli, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Grave Lidere, Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri u takua me Presidentin e Mongolisë, Tsakhia Elbegdorj, me të cilin bisedoi për rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve si dhe kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Mongolisë.
Gjatë këtij takimi, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri foli për progresin e gjithëmbarshëm për ndërtimin e shtetit demokratik dhe sovran të Kosovës dhe forcimin e pozicionin ndërkombëtar të tij, në përputhje me vizionin shtetëror për një Kosovë euro-atlantike.
Ajo bëri të ditur se ky takim mes Kosovës dhe Mongolisë po ndodh në një moment historik për Kosovën përkatësisht në fazën e përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe se Kosova tashmë është një shtet me pavarësi të plotë.
Tahiri ka theksuar se shteti i Kosovës është rezultat i një investimi dhe sakrifice njëqindëvjeqare të popullit të Kosovës dhe në këtë kontekst historia e pavarësisë së Kosovës dhe Mongolisë janë shumë të ngjashme, si edhe ardhmëria e tyre bazohet mbi vlera të përbashkëta të demokracisë dhe lirisë.
Mbi këtë bazë, Zëvendëskryeminitrja Edita Tahiri kërkoi nga Mongolia njohjen e pavarësisë së Kosovës duke theksuar se njohja e fuqishme ndërkombëtare që gëzon sot shteti i Kosovës dhe konfirmimi i legalitetit të saj ndërkombëtar nga GJND-ja, janë njëkohësisht kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon, prandaj njohja nga Mongolia do të jetë gjithashtu një kontribut në këtë drejtim.
Presidenti i Mongolisë, Tsakhia Elbegdorj, shprehu kënaqësinë për përparimet që ka bërë Kosova në procesin e demokratizimit dhe konsolidimit shtetëror si dhe vlerësoi vizionin modern të Kosovës për të ardhmen e sajë.
Presidenti Elbegdorj, premtoi se Mongolia do ta shqyrtoj seriozisht njohjen e pavarësisë së Kosovës në një të ardhme shumë të afërt, si dhe ka një vlerësim shumë të lartë për lëvizjen e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Në vazhdim të aktivitete të saja në kudër të pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Grave Lidere, Tahiri zhvilloi një takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Mongolisë, Gombojav Zandanshatar i cili ka premtuar se vendi i tij do ta shqyrtoj çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Po ashtu, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri mbajti një fjalim në këtë Konferencë me temën Fuqizimi i grave në nivelet vendimmarrëse me çrast foli për Kosovën si model i fuqizimit të grave dhe si një tregues i zhvillimit demokratik të shoqërisë dhe shtetit të ri të Kosovës.
Në seancën përmbyllëse të Konferencës Ndërkombëtare të Grave Lidere mori pjesë edhe Sekretarja amerikane e shtetit z. Hillary Clinton.