23 Janar 2025

Tahiri ka mbajtur një ligjërate në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë

Tetovë, 6 maj - Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri ka vizituar Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë me ftesë të dekanes së Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike, Elena Andreevska, me ç’ rast ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të këtij universiteti,  si dhe ka dhënë një prononcim për media për rrjedhat aktuale politike në Kosovë dhe rajon.

Ministrja Edita Tahiri në ligjëratën e saj foli për progresin dhe sfidat në shtetndërtimin e Kosovës, për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Maqedonisë, për nevojën e avancimit të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, si dhe për perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit.

Ministrja Tahiri theksoi se Kosova udhëhiqet nga vizioni euro-atlantik dhe ka bërë përparime shumë të rëndësishme në procesin e ndërtimit të një shteti demokratik dhe funksional duke ndërmarrë reforma të gjithanshme evropiane me synim që të bëhet sa më shpejtë anëtare e BE-së, NATO-së, OKB-së dhe organizatave tjera relevante.

“Duke marrë parasysh se liria dhe pavarësia e Kosovës kanë rezultuar nga njëqind vjet luftë e sakrificash të popullit shqiptar, jemi të përkushtuar që të forcojmë shtetin në të gjitha planet dhe me prioritet për sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik si dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor me një arsimim modern për të siguruar mirëqenie dhe punësim për të gjithë qytetarët dhe veçmas për rininë”, ka theksuar ministrja Tahiri.

Në vazhdim ajo foli për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Maqedonisë, duke i vlerësuar si marrëdhënie të mira fqinjësore, ku potencoi se avancimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni duhet të ngritët në status shtetformues, si dhe kërkoi përshpejtimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Ajo theksoi se partitë politike shqiptare të Maqedonisë duhet të kenë unitet rreth çështjes nacionale, respektivisht për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa mund kenë pluralizëm qëndrimesh në çështjet e qeverisjes në Maqedoni.

Në kuadër të politikave rajonale, Ministrja Tahiri tha se të gjitha vendet e rajonit e kanë vendin në familjen euro-atlantike dhe kërkoi përshpejtimin e reformave dhe integrimin sa më të shpejtë të Kosovës dhe gjithë vendeve të rajonit në BE dhe NATO, si një rrugë e vetme për të krijuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe si një mundësi për të parandaluar ndikimet negative të dinamikave të reja gjeopolitike që vijnë nga vende joperëndimore.

Prof. Demush Bajrami në fjalën e tij hyrëse foli për veprimtarinë politike të ministres Tahiri si një nga protagonistet kryesore të procesit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe për formimin dhe punën e saj  që nga vitet e hershme  e deri më tani  si ministre dhe udhëheqëse  e dialogut Kosovë-Serbi, duke i uruar suksese edhe më tutje në punën e saj

Ministrja znj. Tahiri po ashtu pati edhe takime të ndara me udhëheqësit e UEJL të Tetovës: me  Dekanen e  fakultetit  të APSHP-së, Elena Andreevska  dhe mësimdhënësit e këtij departamenti, ku u angazhua për rritjen e bashkëpunimit në fushën akademike mes dy vendeve.

Poashtu takoi prorektorin z. Blerim Reka, ku biseduan për bashkëpunimin ndërmjet Universitetit te Prishtinës dhe të Maqedonisë, bashkëpunimin në planin akademik, vizionin e përbashkët dhe integrimet evropiane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)