22 Janar 2025

Tahiri: Gratë duhet të jenë promovuese e dialogut

Prishtinë, 20 tetor - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh kryetare e Lobit Rajonal të Grave në Evropën Juglindore (RWLSEE) mori pjesë në Konferencën rajonale që u mbajt në Shkup më 16 tetor 2015. 

Qëllimi i kësaj konference ishte rritja e rolit të grave në proceset politike dhe eurointegruese në Maqedoni dhe rajon, me theks të veçantë për angazhimin e grave në zgjidhjen e krizave politike përmes dialogut dhe mjeteve demokratike.

Konferenca u organizua nga Lobi rajonal i grave dhe UNWomen, dhe në të morën pjesë personalitete të jetës politike dhe shoqërisë civile nga të gjitha vendet e rajonit.

Ministrja Edita Tahiri në fjalën e saj theksoi se fuqizimi i grave në politikë dhe vendimmarrje është në interesin e të gjithë vendeve demokratike që synojnë zhvillim dhe integrime euro-atlantike.

Shteti dhe shoqëria duhet të investojë më shumë në përkrahje të një statusi të barabartë për gratë në të gjitha sferat e jetës.

Nga ana tjetër ajo theksoi se gratë duhet të jenë promovuese të dialogut dhe bashkëpunimit sidomos në momente të caktuara të krizave politike në vende të ndryshme sepse vlerat e tyre të veçanta mund të ndihmojnë në tejkalimin e situatave.

Ato duhet të shquhen në proceset demokratike dhe integrimet euro-atlantike duke u bërë faktor kredibil në politikat vendore dhe ndërkombëtare.

Vlerësoj pjesëmarrjen e grave në politikë, por duhet të angazhohemi më shumë për të zhvilluar vlera evropiane, ndër të tjera ku gruaja sot nuk shihet vetëm si kuotë por duke i parë protagoniste, ku cilësia e grave matet me angazhimet e tyre në zgjidhjen e krizave politike, dhe ky është momenti i grave për të treguar se sa mund të bëjnë për vendin dhe shoqërinë.

Duke folur për marrëdhëniet ndëretnike, ministrja Tahiri po ashtu theksoi se marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet plotësisht dhe në mënyrë përmbajtjesore në të mirën e shqiptarëve në Maqedoni. Vendet multietnike nuk mund të udhëhiqen me politika monoetnike sepse qasjet e tilla janë të dëmshme dhe destabilizuese, tha ajo.

Gjatë punimeve të kësaj konference, morën pjesë edhe Renata Deskovska, zëvendëskryetare e Parlamentit të Maqedonisë, Irina Pockova, Anëtare e Komitetit Drejtues të LRG në Maqedoni, Teuta Arifi, Kryetare e komunës së Tetovës, Ermira Mehmeti, deputete në Parlamentin e Maqedonisë, Savka Todorovska, presidente e Këshillit Nacional të grave të LRG, Roza Tupozova, deputete në Parlamentin e RM, Mariana Berecz, zëvendësshefe e Misionit të OSBE në Shkup, Nada Drobnjak, deputete nga Mali i Zi,  Memnuna Zvizdic, anëtare e komitetit drejtues të LRG në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gordana Sobol, deputete në Parlamentin e Kroacisë, Flora Macula UNwomen, Kosovë, Morana Palikovic, ish-zëvendëspresidente e kuvendit komunal në Zagreb-anëtare e lobit rajonal të grave, Kroaci.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)