Tahiri e Schlumberger diskutojnë organizimin e zgjedhjeve lokale
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri me këtë rast ritheksoi përkushtimin institucional për organizimin sa më të mirë të zgjedhjeve lokale, konform Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit të Kosovës, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me OSBE-në, sipas Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, ku OSBE-ja ka një rol ndihmues.
Zëvendëskryeministrja Tahiri edhe njëherë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, në veçanti serbëve të pjesës veriore të Kosovës që ta shfrytëzojnë këtë mundësi demokratike për të dalë në zgjedhje dhe për ti zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim në qeverisjen komunale.
Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jean- Claude Schlumberger vlerësoi të arriturat e Kosovës gjatë këtyre viteve dhe shprehu gatishmërinë për të ofruar përkrahjen e mëtutjeshme të Misionit të OSBE-së për zhvillimin demokratik dhe institucional të Kosovës.
Në mënyrë të veçantë, Schlumberger u fokusua tek roli që ka OSBE-ja në procesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim, me theks të veçantë për rolin që ka Bashkimi Evropian për të ndihmuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat e pjesës veriore të vendit.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që bashkëpunimi mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe OSBE-së të intensifikohet edhe më shumë, në mënyrë që të zhvillohet një proces demokratik dhe i suksesshëm zgjedhor, i bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ashtu siç specifikohet qartë në Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.