Tahiri: Dialogu për lëvizje të lirë do të vazhdojë
Prishtinë, 27 dhjetor - Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, kryesuese e ekipit kosovar të bisedimeve ka vlerësuar pozitivisht fillimin e zbatimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë.
Sa për vështirësitë dhe tarifat e larta të lëvizjes, zëvendëskryeministrja ka thënë se do të diskutohen më tutje me Beogradin.
Si një negociatore, ajo e ka ndarë procesin në dy faza: fazën e mundësimit të lëvizjes së lirë, që tashmë ka ndodhur, dhe fazën e lehtësimit të lëvizjes së lirë, që sipas kryenegociatores do të ndodhë me vazhdimin e dialogut dhe konsultave të grupeve punuese.
Optimizmin se tarifat e sigurimeve do të jenë më të lira dhe se procedurat do të lehtësohen, kryenegociatorja e ka mbështetur në planin për zbatimin e marrëveshjes, të pajtuar nga të dyja palët.