Tahiri: çfarëdo propozimi për autonomi është i papranueshëm
Prishtinë, 16 mars - Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri takoi Drejtorin për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Marko Prelec dhe Naim Rashiti, koordinator i projektit në Kosovë.
Në këtë takim me përfaqësuesit e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) u bisedua lidhur me raportin e fundit që ICG ka bërë për Kosovën.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se pas analizimit me kujdes të raportit për Kosovën të ICG-së, Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se çfarëdo propozimi për autonomi është i papranueshëm dhe joreal dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kushtetuta e definon qartë konceptin shtetëror të Kosovës si shtet sovran, të pavarur, me integritet territorial të pacenueshëm dhe me karakter unitarë, tha zonja Tahiri duke shtuar më tej se për çështjet e rregullimit të brendshëm të Kosovës, institucionet e Kosovës janë plotësisht sovrane.
Zonja Tahiri po ashtu shtoi se Republika e Kosovës e ka të integruar në Kushtetutën e saj Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit, i cili në vetvete ngërthen të drejtat dhe kompetencat më të lartat të mundshme për komunitetin serb dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës po e zbaton dhe është e gatshme që të vazhdoj me zbatimin e Planit të Ahtisarit.
Po ashtu në këtë takim u bisedua edhe për çështjen e dialogut teknik që ka filluar midis shtetit të pavarur të Kosovës dhe Serbisë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri potencoi se ky dialog do të jetë ekskluzivisht për çështje teknike të e cilat do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja shteteve, në përmirësimin e bashkëpunimeve rajonale dhe mbi të gjitha i shërben avancimit të agjendës evropiane për Republikën e Kosovës.
Ajo shprehu besimin se dialogu teknik do të rezultojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore midis dy shteteve, që është njëherësh parakusht për integrimin e vendeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO.