Svarqa në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës
Prishtinë, 4 korrik - Sot, organizata jo-qeveritare Nisma për Aktivizim nga Ferizaj ka deponuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që kjo Gjykatë të gjej si shkelje të Kushtetutës urdhëresën e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me 30 prill 2014 përmes së cilës ai i urdhëroi të gjitha ndërmarrjet tregtare, shërbyese dhe që ushtrojnë veprimtari tjera ekonomike në këtë Komunë që të mos punojnë për festën e një majit, apo ditës ndërkombëtare të punëtorëve.
Inspektorët Komunal kanë zbatuar këtë vendim si dhe kanë shqiptuar dënime për ato biznese që kanë punuar në ditën e 1 majit.
Një urdhëresë e tillë bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës përkatësisht nenin 49 për të Drejtën e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit e garantuar me nenin (49) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe paraqet ndërhyrje të shtetit në ekonominë e tregut të lirë që është një parim qenësor i funksionimit demokratik të institucioneve publike në Republikën e Kosovës.
Krahas kësaj urdhëresa e Kryetarit Svarqa shkel nenin 10 dhe 119 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Neni 10 përcakton modelin e rregullimit ekonomik për të cilin është përcaktuar Kosova, model ky që bazohet në ekonominë e tregut me konkurrencë të lirë, ku roli ndërhyrës i shtetit është minimal dhe bëhet vetëm në rastet e parapara shprehimisht me ligj, siç mund të jenë rastet e ndalimit të krijimit të pozitës monopolistike apo shkeljet e të drejtave të konsumatorëve.
Ndërsa neni 119, përcakton detyrimin e shtetit, ku hyjnë edhe Komunat, që të sigurojnë një mjedis të favorshëm ligjor dhe të mundësojnë lirinë e aktivitetit ekonomik.
Një qasje e tillë reflektohet më pas në gjithë strukturën ligjore që rregullon aktivitetin ekonomik në Kosovë.
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale përcakton se Komunat janë kompetente për zhvillimin lokal ekonomik, duke u bazuar në rregullimin kushtetues të ekonomisë si më sipër, ekonomi që bazohet në tregun e lirë dhe me konkurrencë të lirë.
Albion Sherifi, drejtor ekzekutiv i OJQ-Nisma për Aktivizim theksoi se Duke qenë pjesëtar aktiv të shoqërisë civile, si kujdestar të interesit publik, bie nën përgjegjësinë tonë trajtimin e një çështjeje të tillë.
Ky veprim, nëse nuk trajtohet, do të përbëj një precedent edhe kështu do të rrezikoj rendin kushtetues, duke mundësuar degën ekzekutive të pushtetit të veproj dhe të ndërhyj pa pengesë në të gjithë sektorët e shoqërisë, në këtë rast në veprimtarinë ekonomike.
Urdhëresa e Kryetarit Svarqa nuk përcakton një mjet juridik përmes të cilit palët e afektuara prej urdhëresës, siç janë ndërmarrjet dhe punëtorët në Ferizaj, do të mund të ankoheshin dhe të kërkonin anulimin e saj.
Për më tutje, përmbajtja e saj tregon se çfarëdo ankese e adresuar tek Kryetari i Komunës sipas procedurës administrative kundër kësaj urdhërese do të refuzohej apriori pa një proces të ligjshëm.
Gjithashtu, inicimi i procedurës në Gjykatën Themelore në Ferizaj nuk përbën mjet efektiv juridik marrë për bazë praktikën e vendosur gjyqësore të tejzgjatjes së rasteve administrative në gjykatat vendore.
Prandaj, duke mos pasur mjet efektiv juridik në dispozicion, kërkesa është në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 47.2 të Ligjit mbi Gjykatën Kushtetuese.
Krahas kësaj nga urdhëresa e Kryetarit Svarqa preket interesi i drejtpërdrejt i të gjithë qytetarëve të Ferizaj dhe kjo sipas nenit 113.6, gërma a) e Kushtetutës së Republikës së Kosvës na mundëson të paraqesim këtë rast para Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu këto raste arsyetojnë pranueshmërinë e kërkesës për shqyrtim prej anës së Gjykatës:
1. 1. Valon Bislimi kundër Ministrisë se Punëve te Brendshme,
2. 2. Tome Krasniqi kundër RTK (Radio Televizioni i Kosovës)
3. 3. Nr. KI 56/09 Fadil Hoxha dhe 59 te tjerë kundër Kuvendit Komunal te Prizrenitsi dhe
4. 4. Gorraiz v. Spain (Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut)