Sulmi me vezë, bllokon Kuvendin e Kosovës
Prishtinë, 22 shtator - Sulmi me vezë nga deputetët opozitarë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë seancës plenare e ka bërë të paqartë vazhdimin e punimeve të Kuvendit.
Zoti Mustafa, është sulmuar me vezë derisa po raportonte në Kuvend në lidhje me marrëveshjet e fundit të arritura me Beogradin në Bruksel më 25 gusht, ndër të cilat ishte edhe ajo për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e cila po kundërshtohet ashpër nga opozita.
Lëvizja Vetëvendosje, në një postim të sajin në rrjetin social Facebook, ka thënë se me këtë veprim, \"ia kanë ndalë gënjeshtrën Isa Mustafës, përmes së cilës ai synonte që edhe njëherë t\'i gënjejë qytetarët dhe deputetët për marrëveshjet e Brukselit. Isa Mustafa sërish po i trajton deputetët dhe qytetarët si të padijshëm\".
Ndërkohë që deputetë të opozitës hidhnin vezë në drejtim të kryeministrit Mustafa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka cilësuar këtë veprim si të turpshëm.
Ndërkohë, që ka ndërhyrë sigurimi i kryeministrit, zoti Veseli ka shpallur pauzë prej 10 minutash, por aktualisht nuk dihet ende nëse Kuvendi do të mund t\'i vazhdojë punimet.
E njëjta seancë, ku kryeministrit i Kosovës është dashur të raportonte për marrëveshjet e Brukselit, është ndërprerë edhe të enjten e kaluar, pasi zoti Mustafa kryeministri Isa Mustafa hoqi dorë nga raportimi i paralajmëruar.
Raportet ndërmjet forcave politike në opozitë dhe atyre në pushtet kanë pësuar tensionim më të madh që prej arritjes së marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.
Marrëveshja është arritur më 25 gusht, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural, si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.
VV e konsideron marrëveshjen si shkelje të sovranitetit dhe ndarjen të Kosovës. Të njejtin mendim e ndajnë edhe dy partitë tjera në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.(rel)