Sulmet ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë
I shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e bashkëpunëtorë të tjerë, kryeministri Kurti tha se ishin sot në Prekaz, në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin përfundimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Teksa kujtonte sulmet e njëpasnjëshme që iu bënë familjes Jashari nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit, edhe në dhjetor të vitit 1991 edhe në janar të vitit 1998, kryeministri Kurti tha se të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen”, u shpreh kryeministri derisa shtoi se jo vetëm që nuk e harrojmë prej nga vijmë, por në të njëjtën kohë pikërisht nëpërmjet përgjegjësisë sonë për këtë të shkuar sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme e dimë se si të ecim mbarë edhe drejt përpara.
Pas nderimit që iu bë familjes Jashari për flijimin dhe sakrificën sublime për shtetin e Kosovës, krerët e shtetit, u pritën nga Rifat Jashari, vëllai i Adem dhe Hamëz Jasharit.
Edhe kryetari Konjufca tha se sakrifica e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe e familjes Jashari ishte një moment kur ajo kthehet në epope edhe kur i gjithë kombi shqiptar mobilizohet dhe bëhet UÇK.
Kreu i Kuvendit tha se ky moment jo vetëm që e ktheu të gjithë kombin në një ushtri dhe të gatshëm për ta dhënë jetën, por faktikisht e shkundi të gjithë botën, duke e aktivizuar faktorin ndërkombëtar që të besonte në kauzën tonë të drejtë.
“Nga ky kuptim mendoj që sakrifica e Jasharajve është momenti më i rëndësishëm brenda përpjekjes çlirimtare të popullit të Kosovës për lirinë tonë. Lavdi e përjetshme Jasharajve! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”, tha kryetari Konjufca.
Pas homazheve, të tre liderët e vendit dhe delegacioni që i shoqëronte, vizituan familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat Jashari, vëlla i Komandantit legjendar Adem Jashari dhe anëtarë të tjerë të kësaj familjeje.
Duke i falënderuar për vizitën, Rifat Jashari tha se të gjithë kanë dhënë për çlirimin e Kosovës, ndërsa tani të gjithë duhet punuar së bashku për zhvillimin e vendit, që për lirinë e tij, askush nuk kurseu asgjë.â