Suedia vlerëson progresin e bërë në Kosovë
Prishtinë, 18 qershor - Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Suedisë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë bashkëpunim të mirë ndërshtetëror, u tha në takimin e zhvilluar sot në mes të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi me Ministren e Drejtësisë së Mbretërisë së Suedisë, Beatrice Ask.
Në këtë takim, të dy bashkëbiseduesit pasi biseduan për zhvillimet në fushën e drejtësisë në të dy vendet, diskutuan mundësin e thëllimit të bashkëpunimit në këtë fushë me qëllim të ndarjes së eksperiencës ndërshtetërore.
Ministri Kuçi tha së Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative që dëmtojnë rendin dhe ligjin, ndërsa kërkoi nga homologia e tij mbështetjen e shtetit suedez në reformimin e sistemit të drejtësisë, me anë të ngritjes se kapaciteteve njerëzore dhe trajnimin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Nga ana saj, Ministrja Ask ka vlerësuar progresin e Kosovës të arritur pas shpalljes së pavarësisë dhe ka premtuar vazhdimin e lobimit të Suedisë për njohjen e Kosovës.
Në këtë takim u bisedua edhe për mundësin e arritjes së marrëveshjes të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale, në mes të Kosovës dhe Suedisë.