Suedia mbështet integrimet euro-atlantike për Kosovën
Prishtinë, 12 prill - Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri priti në takim ambasadorin e Suedisë jo-rezident për Kosovë, Lars Wahlund, i cili ishte i shoqëruar edhe nga znj. Ingrid Johansson, e ngarkuar me punë në Prishtinë.
Në këtë takim u bisedua për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme si dhe u rikonfirmua mbështetje e Suedisë për perspektivën euro-atlantike të Kosovë.
U vlerësua lartë progresi i gjithanshëm në drejtim të forcimit të brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë vlera që ndihmojnë stabilitetin dhe paqen në rajon, duke theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë i shërben ardhmërisë evropiane të të dyja vendeve.
Zëvendëskryeministrja Tahiri konfirmoi gjithashtu se Qeveria e Kosovës vazhdon të besojë se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve bilaterale në rajon dhe vazhdon të mbetet e përkushtuar në ketë drejtim.
Shteti i Kosovës në këtë dialog ka prezantuar qëndrimin e saj duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe parimet euro-atlantike, theksoi zëvendëskryeministrja Tahiri.
Ndërkaq, ambasadori Wahlund tha se Suedia mbështet fuqishëm integrimet euro-atlantike për Kosovën dhe inkurajoi për vazhdimin e rrugës së reformave evropiane.
Ai po ashtu vlerësoi angazhimin konstruktiv dhe vizionar të Kosovës në dialogun për normalizimin, duke shprehur besimin për arritjen e marrëveshjes mes dy shteteve, nga i cili fitues do të jenë të dyja shtetet dhe rajoni, por edhe vetë Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi.