Studentët nga Beogradi vizitojnë Albin Kurtin
Prishtinë, 30 janar - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti priti një grup prej afër 30 studentësh nga Beogradi, të organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut të cilët këto ditë po qëndrojnë në Prishtinë.
Me këtë rast, Kurti paraqiti konceptin, programin dhe aktivitetet e Vetëvendosje!-s, si dhe qëndrimet e saj për zhvillimet aktuale politike.
Në veçanti, Kurti theksoi që Serbia ka nevojë për një lëvizje të majtë që lind nga trashëgimia e socialdemokratit të mirënjohur Dimitrije Tucoviq në kontrast me të majtën e rrejshme të Daçiqit e Vulinit që janë pasardhësit politikë të Millosheviqit dhe gruas së tij.
Pikërisht ballafaqimi me të kaluarën do të mundësonte dhe ndihmonte një lëvizje të re e të majtë në Serbi.
Pas prezantimit të tij, Kurti iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve që shtriheshin nga çështja kombëtare shqiptare dhe gjeopolitika e Ballkanit, te modelet për zhvillimin ekonomik socialdemokrat e deri te temat aktuale si protestat për shkarkimin e Jabllanoviqit dhe mbrojtjen e Trepçës.