Strategjia për veriun përkrahet edhe nga ndërkombëtarët
Prishtinë, 24 mars - Nën drejtimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është mbajtur sot mbledhja e rregullt e Këshillit të Sigurisë të Kosovës. Në mbledhje është diskutuar për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, për prioritetet e Këshillit të Sigurisë të Kosovës, si dhe për çështje tjera.
Kryeministri Thaçi ka theksuar në takim se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile, me përjashtim të disa incidenteve që synuan destabilizimin e vendit, të cilat siç theksoi kryeministri Thaçi kanë mbetur të izoluara dhe pa ndonjë ndikim në sigurinë e shtetit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për gjendjen e sigurisë në vend në periudhën që nga takimi i fundit i Këshillit të Sigurisë, theksoi shembullin e suksesit të organizimit të zgjedhjeve komunale.
Mbajtja e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe fer, në frymën e tolerancës, për herë të parë në shtetin e Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, me theks të veçanntë të komunitetit serb, zgjedhje këto të organizuara suksesshëm nga institucionet e Republikës së Kosovës, dëshmon më së miri përkushtimin tonë të plotë për ruajtjen e sigurisë së vendit u shpreh kryeministri Thaçi.
Në takimin e Këshillit të Sigurisë të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka potencuar edhe angazhimet që janë duke u bërë për fillimin e implementimit të Strategjisë Gjithpërfshirëse për Integrimin e Veriut. Z.Thaçi njoftoi anëtarët e Këshillit të Sigurisë për hapat konkretë që i ka ndërmarrë qeveria në funksionalizimin e grupeve punuesë në kuadër të procesit për implementimin e strategjisë dhe shtoi se Strategjia Gjithpërfshirëse për Integrimin e veriun është në përputhje të plotë me projekt strategjinë e sigurisë nacionale, e cila parasheh integrimin e komuniteteve në shoqëri.
Kryeministri Thaçi po ashtu potencoi se Strategjia Gjithpërfshirëse për Integrimin e veriut ka fituar përkrahjen e plotë nga të gjithë faktorët relevantë të sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe i tërë spektri politik, dhe ka shtuar se zërat që e kundërshtojnë këtë strategji janë krysisht të izoluar, që vijnë nga elemente të njohura destruktive dhe pa alternativë prosperuese për qytetarët e asaj pjese.
Në takimin e Këshillit të Sigurisë të Kosovës është diskutuar edhe lidhur me draftin përfundimtar të Projektstrategjisë së Sigurisë të Kosovës. Ky draft pritet të merr formën përfundimtare në ditët në vijim dhe të dërgohet në qeveri dhe në kuvend për aprovim.