21 Janar 2025

Strategjia për Romët, Ashkalit dhe Egjiptianë, mundësi për integrimin e tyre

Prishtinë, 12 nëntor - Në Qeverinë e Kosovës, sot, u mbajt Seminari për Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë, në të cilin u diskutua për Strategjinë për integrimin e këtyre komuniteteve në Republikën e Kosovës.

Në këtë takim të organizuar morën pjesë zëvendëskryeministri dhe njëherësh edhe kryetar i Komitetit Drejtues Ndërinstitucional për Implementimin e Strategjisë 2016-2020, Kujtim Shala, koordinatorja për politikën rome e BE-së, Marta Garcia Fidalgo, deputetë përfaqësues të këtyre komuniteteve në Kuvendin e Kosovës, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elfete Shabani, dhe përfaqësues tjerë të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Në emër të Qeverisë, zëvendëskryeministri Shala, përshëndeti organizimin e seminarit, duke thënë se kjo është një ditë e veçantë për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ai tha se bashkëdrejtimi i seminarit me përfaqësuesen e Bashkimit Evropian znj. Fidalgo, tregon përkushtimin e Qeverisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë për këtë proces të rëndësishëm.

Shala falënderoi partnerët ndërkombëtarë për ndihmën e tyre në procesin e hartimit të Strategjisë dhe të integrimit të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Po ashtu, zëvendëskryeministri Shala foli rreth punës së Komitetit Drejtues për zbatimin e Strategjisë për integrimin e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, për dakordimin e planit të punës në procesin e draftimit të Strategjisë së re 2016-2020 dhe për dinamikën e punës.

Ai theksoi se tashmë kemi një dokument fillestar të strategjisë dhe planit të veprimit për përfshirjen e komuniteteve në fjalë, i cili përcakton si objektiva themelore edukimin, shëndetësinë, punësimin dhe mirëqenien sociale, banimin dhe regjistrimin civil të tyre.

Po ashtu zëvendëskryeministri Shala, ritheksoi bashkëpunimin me shoqërinë civile për rolin ndërmjetësues në mes institucioneve dhe komuniteteve, duke thënë në fund se diskutimet në seminar do të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve sa më konkrete dhe si rezultat të kemi një dokument të dobishëm për komunitetet dhe institucionet tona.

Ndërkaq, koordinatorja Garcia Fidalgo, vlerësoi se ky organizim është i një rëndësie të veçantë sepse i vendos bazat për një dokument i cili do të ndikojë në integrimin e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, në shoqërinë e Kosovës.

Ajo u shpreh se Kosova është në fazën e çështjeve konkrete drejt integrimit në BE dhe se pritjet nga Kosova janë të mëdha. Kosova është përfshirë në pakon e zgjerimit dhe integrimi i komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian përbën një prioritet në tërë këtë proces.

Ndërkaq, deputetët përfaqësues të komuniteteve, Kujtim Paqaku, nga radhët e komunitetit rom, Veton Berisha, nga radhët e komunitetit Egjiptian dhe Danush Ademi nga radhët e komunitetit Ashkali e konsideruan takimin si jetik për fatin e komuniteteve që përfaqësojnë të cilët përballen me vështirësi të shumta në Kosovë. Ata falënderuan institucionet, partnerët dhe shoqërinë civile për kontributin e tyre në përgatitjen e këtij dokumenti strategjik për komunitetet dhe e cilësuan se eliminimi i diskriminimit dhe integrimi i komuniteteve nuk mund të ndodh pa ndihmën e institucioneve.

Ndërsa, zëvendësministrja e MKRS-së, Elfete Shabani, shprehu qëndrimet dhe vlerësimet e saj për diskriminimin gjinor të pjesëtareve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, duke e konsideruar këtë dokument i cili pritet të finalizohet dhe të hyjë në zbatim si një mundësi që do të krijojë lehtësira në integrimin e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)