Stojanoviq pret nga Thaçi rezultate rreth Asociacionit
Prishtinë, 27 shkurt - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, për RTS-në ka thënë se tani, pas zgjedhjes së presidentit të Kosovës, është koha që Hashim Thaçi të marrë përgjegjësi dhe të realizohen ato marrëveshje që janë arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe, si dhe funksionalizimin e Gjykatës Speciale.
Sipas tij, më nuk ka arsye që këto dy marrëveshje të shmangen edhe më gjatë.
\"Ne presim që të zbatojë atë që është pjesë e marrëveshjes së koalicionit rreth përfaqësimit tonë në pozitat kyçe. Ne kemi marrë garanci dhe ne presim që ajo të bëhet\", tha Stojanoviq.
Po ashtu, ai ka thënë se është e një rëndësie të veçantë që partitë politike shqiptare të zgjidhin konfliktet mes vete dhe të marrin përgjegjësi.