Steinmeier: Kosova ka të ardhme të sigurtë evropiane
Politika qendrore e Gjermanisë ka një përqendrim të madh në Ballkan dhe për Kosovën, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, Gjermania mbetet një partner kyç në rrugën e saj për tu bërë anëtare e plotë e institucioneve euroatlantike dhe e bashkësisë ndërkombëtare.
Mbështetja juaj për procesin e integrimit të Kosovës në BE është jetike dhe për shkak të angazhimit tuaj personal dhe politikës qendrore të Gjermanisë, ne jemi afër nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, i ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi, homologut të tij gjerman Steinmeier.
Marrëveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë kontribuar në përmirësimin e jetës, në integrimin e qytetarëve serbë të pjesës veriore në institucione dhe në zhbërjen e strukturave ilegale serbe është shprehur Thaçi, por ato sipas tij duhet të zbatohen në tërësi nga ana e Serbisë.
Arritja e marrëveshjeve të reja është e rëndësishme, por më i rëndësishëm është zbatimi i plotë i marrëveshjeve të deritashme. Si shtet nuk do ta rinegociojmë asnjë çështje që e kemi mbyllur me ato marrëveshje, ka thënë Thaçi.
E homologu gjerman i Thaçit, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se perspektiva evropiane për rajonin dhe Kosovën është e qartë dhe pozitive, por ajo gjithnjë duhet të bëhet me matje të kujdesshme në plotësimin e kushteve që ndërlidhen ngushtë me raportimet e Komisionit Evropian në Kosovë.