Steinbach përfundon misionin si ambasador në Kosovë
Prishtinë, 11 korrik - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim lamtumirës me ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Hans-Dieter Steinbach.
Me këtë rast Steinbach e falënderoi kryekuvendarin Krasniqi për pritjen, si dhe për bashkëpunimin shumë të frytshëm në mes Parlamentit dhe Ambasadës gjermane.
Ndërkaq, duke folur për çështjen e legjislacionit, ai vlerësoi lart punën rreth miratimit të ligjeve, sidomos nga Pakoja e Ahtisarit.
Ambasadori gjerman u shpreh se Kosova tashmë ka arritur stabilitetin e vet si shtet. Në përmbyllje të fjalës së tij, Steinbach, tha se marrëdhëniet në mes Gjermanisë dhe Kosovës janë shumë të mira dhe do të forcohen edhe më.
Kryetari i Kuvendit Krasniqi e falënderoi ambasadorin gjerman për ndihmën që dha në bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kuvendit të Kosovës, si dhe të institucioneve tjera të vendit, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi i shumë i mirë ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit të Gjermanisë, do të vazhdojë të thellohet edhe në të ardhmen.