Stefano Stefani: Realiteti në Kosovë është i pakthyeshëm
Prishtinë, 1 Mars -Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni ka pritur sot një delegacion nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Komunitete të Parlamentit të Italisë, kryesuar nga Stefano Stefani, kryetar i këtij komisioni.
Gjatë takimit, ministri Hyseni dhe parlamentarët italianë folën për shumë çështje që kishin të bënin me Kosovën, progresin e saj, zhvillimet e brendshme si dhe raportet me Serbinë.
Ndërsa i falënderoi për ndihmën e vazhdueshme që Italia ka dhënë për Kosovën, veçanërisht pas pavarësisë së saj, ministri Hyseni i njohu parlamentarët italianë me arritjet që Kosova ka bërë në dy vitet e pavarësisë së saj, si dhe shprehu gatishmërinë e Kosovës dhe institucioneve të saj për të punuar sa më shumë për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të vendit.
Një temë e posaçme dhe e rrahur gjatë në takim ishte perspektiva e përbashkët evropiane e Kosovës dhe e të gjithave vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të posaçëm te liberalizimi i vizave.
Ministri Hyseni kërkoi nga bashkëbiseduesit e tij, që Kosova as të mos përjashtohet nga procesi i liberalizimit të vizave dhe as të mos vonohet më shumë se vendet e tjera në përfshirjen e saj në këtë proces.
Procesi i liberalizimit të vizave, theksoi ministri Hyseni, ndërlidhet me çështje të natyrës teknike, për çka edhe nuk ka pse të kthehet e të ndërlidhet me çështje të natyrës politike.
Ndërsa potencoi qëndrimin e qartë të qeverisë së Kosovës për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët, ministri Hyseni i siguroi parlamentarët italianë se, të njëjtin qëndrim dhe interes Kosova ka edhe për marrëdhënie të mira me Serbinë.
Por, theksoi ministri Hyseni, qëndrimi i prerë i institucioneve të Kosovës është se janë të papranueshme skenarët për rinegociata për pavarësinë apo për ndarjen e Kosovës. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, theksoi mes të tjerash ministri Hyseni.
Të njëjtin mendim me ministrin e jashtëm të Kosovës ndau edhe kryesuesi i delegacionit, z. Stefano Stefani, i cili pohoi që në krye se realiteti në Kosovë është i pakthyeshëm.
Ministri Hyseni dhe bashkëbiseduesit e tij nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit të Italisë biseduan gjatë edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, për EULEX-in dhe shtrirjen e tij në të gjithë territorin e Kosovës si dhe për shumë çështje të tjera me interes dypalësh.