Stefan Troebst, Konsull Nderi i Kosovës në Lajpcig
Prishtinë, 9 shkurt Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka emëruar Prof. Dr. Stefan Troebst, Konsull të Nderit të Republikës së Kosovës në Lajpcig të Gjermanisë.
Vendimi i ministrit Hoxhaj, për emërimin e Troebst në këtë pozitë, është mirëpritur dhe pranuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.
Emërimi i Dr. Stefan Troebst në pozitën e Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës në Lajpcig, është hap i rëndësishëm në kuadër të orientimeve strategjike të politikës së jashtme të Kosovës, për të shtuar prezencën në sa më shumë vende të botës, me qëllim të fuqizimit të vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe dinamizimit të diplomacisë kosovare.
Dr. Stefan Troebst, është një personalitet i shquar i jetës publike dhe akademike në Lajpcig dhe në Gjermani si dhe një mik i madh i Kosovës dhe popullit të saj. Ai është profesor në disa universitete, institute dhe qendra të hulumtimeve në Gjermani.
Troebst është një nga njohësit më të mirë të Evropës Juglindore si dhe ka shkruar shumë artikuj dhe studime për Kosovën dhe vendet e rajonit, të cilat konsiderohen ndër studimet më gjithëpërfshirëse. Studimeve të tij për Kosovën i janë referuar studiues dhe politikanë që janë marrë me luftërat dhe konfliktet në Ballkan.