Standarde të reja të konsultimeve publike në procesin e politike bërjes
Prishtinë, 1 qershor - Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit bashkë me Zyrën e BE-së në Kosovë, organizojnë konferencë për media.
Qëllimi i kësaj konference është promovimi i Standardeve të reja të konsultimeve publike për të lejuar qytetarët dhe shoqërinë civile për të ndikuar në procesin e politikë bërjes.
Rregullorja e re e cila u mundëson qytetarëve dhe shoqërisë civile që të jenë të përfshirë në formësimin e politikave publike do të jetë në fokus të konferencës për shtyp që do të organizohet të mërkurën, më 1 qershor 2016, për të paraqitur hapat e ardhshëm në mbështetje të zbatimit të kësaj rregulloreje.
Rregullorja e Qeverisë për Standardet Minimale për procesin e konsultimit publik është zhvilluar me përfshirjen e një spektri të gjerë të organizatave të shoqërisë civile, në përputhje me Strategjinë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017.
Përmirësimi i transparencës dhe llogaridhënies të politikë-bërjes është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Përfshirja në kohë e shoqërisë civile dhe publikut të interesuar në formësimin e politikave të reja mund të kontribuojë drejt një legjislacioni më të mirë por gjithashtu edhe për të thelluar mirëkuptimin e qytetarëve për reformat që vendi ka nevojë të bëjë në procesin e integrimit evropian.
Udhëheqja e konsultimeve publike në mënyrë efektive dhe kuptimplote do të kërkojë ngritjen e kapaciteteve të shërbyesve civil por edhe ngritjen e vetëdijes në mesin e qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve të tjerë në ofrimin e mundësisë që të përfshihen në hartimin e politikave që ndikojnë në jetën e tyre.
Në periudhën e ardhshme, janë planifikuar një numër i seminareve trajnuese në kuadër të projektit \"Mbështetje për implementimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile\", të financuar nga BE, i cili synon të përmirësojë kapacitetet e Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar një bashkëpunim efektiv me shoqërinë civile në ndërmarrjen e reformave të rëndësishme ekonomike dhe sociale.
Në këtë konferencë për shtyp, Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Zyra e BE-së, Këshillit për zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile dhe Ekipi i Projektit do të paraqesin pritjet kryesore dhe hapat që do të ndërmerren në periudhën e ardhshme për të siguruar një implementim efektiv të standardeve minimale të konsultimeve publike.