Srpska po forcohet nga shqiptarët
Prishtinë, 1 shtator - Lista Serbe, e cila ka fituar përqindjen më të madhe të votave në krahasim me subjektet tjera serbe në Kosovë, ka ripërsëritur shumë herë se nuk do të heqë dorë nga kushtet e saj për tiu bashkuar qeverisë së ardhshme të Kosovës.
Analistë të çështjeve politike kanë vlerësuar se nëse qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë e varur nga kjo listë, atëherë në mënyrë indirekte do ta kemi prezente agjendën e Beogradit në Qeverinë e Kosovës.
Nëse partitë politike nuk arrijnë ti bëjnë 61 vota, atëherë sipas analistëve, pesha e Listës Serbe do të shumëfishohet dhe do të jetë vendimtare për krijimin e institucioneve.
Anulimi dhe ndalimi i privatizimit të ndërmarrjeve publike në komunat serbe, krijimi i kushteve për kthim të qëndrueshëm të serbëve, kthimi i pronës së Kishës Ortodokse Serbe dhe formimi i asociacionit të komunave serbe, janë katër kushtet kryesore të Listës Serbe.
Analisti Artan Muhaxhiri, ka thënë se pozicionin e Listës Serbe e kanë forcuar vetë politikanët shqiptarë të dy blloqeve, atij parazgjedhor dhe këtij paszgjedhor. /Tribuna/