SPRTK: Shala dhe Prekazi harxhuan mijra euro për trajnime
Prishtinë, 18 qershor - Sindikata e Pavarur e RTK-së, ka njoftuar se gjatë vitit 2014, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala dhe zv. drejtoresha e përgjithshme, Elvana Prekazi, kishin ndjekur një trajnim në SHBA.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sindikata e Pavarur, një trajnim i tillë kushton 18 mijë euro për person, përfshirë 14.500 euro për shkollim dhe 3.500 euro për akomodim e aktivitete sociale.
Për dy persona, një trajnim i tillë kushton 36 mijë euro, pa përfshirë shpenzimet e udhëtimit dhe ato për nevoja të tjera.
Edhe pse i është kërkuar nga SPRTK, drejtori gjeneral i RTK-së asnjëherë nuk kanë dhënë detaje rreth kësaj rreth kësaj çështjeje, madje as në raportimet para komisioneve parlamentare.
Në takimet me disa nga anëtarët e bordit të RTK-së, Sindikata është njoftuar se për ndjekjen e një kursi të tillë nuk ka pasur vendim të bordit.
Më gjerësisht mund të informoheni në linkun vijues.http://www3.ebu.ch/contents/trainings/2015/06/executive-programme.html
Ditëve të fundit, SPRTK ka arritur t`i sigurojë faturat për obligimet që RTK i ka ndaj kompanive të ujësjellesit, mbeturinave si dhe ndaj tatimit në pronë, shuma e përgjithshme e të cilave arrin rreth 120 mijë euro.
Si pasojë e mospërbushjes së këtyre obligimeve nga menaxhmenti i RTK-së, objekti i RTK-Radios kishte mbetur pa furnizim me ujë ndërsa mbeturinat nuk ishin larguar. Veturat zyrtare të RTK-së vazhdojnë të jenë të paregjistruara për shkak të mospërmbushjes së obligimeve të tatimit në pronë.
Punëtorët vazhdojnë të përballen me mungesë të kushteve elementare për punë duke filluar prej karrigeve e deri te hapësira e punës.